Site icon PrishtinaPress

E zbulon Sami Lushtaku: Adem Jashari e ka dashtë një film për Çerçiz Topullin

Sot bëhen 25 vjet qëkur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli në skenë për herë të parë.

Data që u përzgjodh ishte e veçantë. Më 28 nëntor 1997. Në Ditën e Flamurit.

Ish-gjenerali i kësaj trupe, Sami Lushtaku e kujton me krenari atë kohë.

“Ka qenë diçka e jashtëzakonshme, madhështore. Gjithçka ka qenë e përbashkët. Grupi i Adem Jasharit kishte filluar aksionet qysh në vitin 1991. Ato aksionet e para, të dyta, e të treta, ishin njëfarë kënaqësie e veçantë në një datë të veçantë, Ditën e Flamurit”, theksoi Lushtaku.

28 Nëntori bëhet edhe më patriotik, shkaku që në këtë datë feston ditëlindjen komandanti legjendar, Adem Jashari. Ai u vra më 7 mars, 1998, pas një sulmi brutal dhe një masakre nga forcat serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz.

Në të gjallë, komandanti legjendar i ka festuar bashkë me luftëtarë gjithmonë këto kremte.

“Kam pasë fatin të jem bashkëluftëtar i Adem Jasharit. Është një fakt që 28 Nëntorin e kemi festuar gjithmonë bashkë dhe mënyrë të veçantë, edhe për shkak të Ditës së Flamurit edhe për shkak të ditëlindjes së komandantit”.

Ky veçon një moment nga ndejat festive me të.

“Kam shumë kujtime me të. Adem Jashari e ka dashtë një film për Çerçiz Topullin. Më kujtohet edhe pamjen gati e patë bë si të njëjtë. Kur ishim bashkë thojke hajde t`ia kthejmë namin Kosovës si Çerçiz Topulli. Kemi bo hajgare, kemi këndu”, theksoi Lushtaku për “Front Online”.

Lushtaku vlerëson se Adem Jashari do të ishte krenar me Kosovën e sotme.

“Besoj që Adem Jashari do të ishte i përmbushur me pa një president, një kryeministër, me pa ushtrinë e policinë e Kosovës. Kosova ka storje suksesi. Mendoj që edhe komandanti do të ishte i lumtur me arritjet e Kosovës, ani se ka edhe shume defekte”.

Për nder të 28 Nëntorit të sivjetmë, gjenerali pati një mesazh për gjeneratat e reja.

“Lutja ime është që ta duan Kosovën shumë. Kosova është atdheu i tyre”, përfundoi Lushtaku./Prishtinapress/

Exit mobile version