Site icon PrishtinaPress

E veshi uniformën e Policisë në vitin 1999, nënkolonelja, Zylfije Dema ndër policet e para në Kosovë tregon si e kujton atë kohë

“Si femra jemi shumë të forta dhe të guximshme dhe ia dalim që t’i shërbejmë popullit, përkundër obligimeve që kemi…”

Kështu nisi rrëfimin e saj njëra ndër policet e para femra, që vjen nga gjenerata e dytë e Policisë së Kosovës, nënkolonelja, Zylfije Dema, gjersa tregon për sfidat që e kanë shoqëruar plotë 24 vite.

Dema në një intervistë për Telegrafin thotë se nuk ka qenë e lehtë që një femër të vishet me uniformë të Policisë në vitin 1999.

“Në vitin 1999 për mua ka qenë një thyerje e një tabuje duke lënë mbrapa të kaluarën, apo mentalitetin tonë që një femër po vishet në uniformë, nuk ka qenë e lehtë. Mirëpo, me përkrahjen e familjes e kam kaluar dhe atë”, ka thënë Dema.

Ajo thotë se si Polici e Kosovës edhe pse kanë kaluar nëpër shumë dallgë të vështira, suksesi asnjëherë nuk u ka munguar.

Nënkolonelja Dema u bën apel femrave të reja që t’i bashkohen Policisë së Kosovës, pasi siç thotë ajo është një punë fisnike dhe e ndershme për t’i shërbyer popullit.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK) me datë 06 shtator 2023 në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë shënoi 24-vjetorin e themelimit të saj.

Exit mobile version