2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

E vërteta nuk ka më rëndësi: Si ndikojnë lajmet negative te njerëzit?

Lajme negative për terrorin arrijnë të pafiltruara dhe direkt përmes medieve sociale. Se cilat janë pasojat e kësaj, tregon profesori Oliver Quiring, ekspert i shkencave të komunikimit.
Quiring thotë se frika e njerëzve nuk është racionale. Sipas tij, nga pikëpamja statistikore, mundësia që të bëhesh viktimë e një atentati terrorist është shumë e vogël. Por, pamjet dhe informacionet që përhapen përmes medieve, nguliten në fuqinë përfytyruese të njeriut.
“Dhe, me këtë terroristët e kanë arritur synimin e tyre”, thotë ai për DW.
Studimet e universiteteve Darmstadt dhe Dresden tregojnë se lajme që shpërndahen më shumë janë ato për dhunë dhe krime. Quiring mendon se ky fenomen ka një shpjegim.
“Nga njëra anë këtu luan rol dëshira për sensacione, e nga ana tjetër – sa i përket Teorisë së Evolucionit – një rol të rëndësishëm luan aspekti që në raste rreziku bëhemi më të vëmendshëm. Ndaj, u japim rëndësi më të madhe lajmeve të tilla”, shprehet profesori që studion ndryshimin e medieve në kohët moderne.
Në rrjetet sociale përhapen shpesh më shumë thashetheme, fotografi e video që gazetarët nuk do të duhej t’i shpërndanin. Quiring shprehet se si profesionistë që janë, gazetarët duhet t’i vlerësojnë ndryshe tekstet dhe pamjet.
“Shumë përdorues të internetit janë emocionalë. Kjo duket në debatin për refugjatët. Diskutimi që zhvillohet në rrjetet sociale është shumë i nxehtë, por nga vetëm pak veta. Këtu ata u drejtohen në mënyrë të ndërgjegjshme frikërave të njerëzve. Në qendër të vëmendjes është kuzhina e thashethemeve dhe nuk ka rëndësi e vërteta. Një shembull: një tekst normal i një mediumi serioz zhvishet në diskutimet e nxehta prej kontekstit, prandaj merr dimension krejt tjetër politik”, thotë ai, duke shtuar se njerëzit gati përmbyten me lajmet negative. “Ekziston gjithmonë presioni për të prodhuar diçka të re, edhe te mediet. Ajo që përpara shprehej në takimet e përhershme në klube e pijetore, tani thuhet në publik. Dhe, jo vetëm që thuhet, por edhe depozitohet si tekst. Këtu i duhet kushtuar vëmendje faktit nëse lajmet vijnë nga burime serioze dhe të konsoliduara”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img