Ushtrimi i veprimtarisë së kundërligjshme të prostitucionit vazhdon të mbetet fenomen shqetësues dhe sfidë për institucionet kosovare. Organet e rendit vazhdimisht përmes veprimeve hetimore bien në gjurmët e personave që dyshohen për marrje me prostitucion. Për trafikim me njerëz është arrestuar mbrëmë një person në Ferizaj.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Fatmir Rushiti, 51-vjeçar.
Rushiti u arrestua mbrëmë në fshatin Koshare pas një hetimi disa mujor nga Njësia për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore dhe i njëjti u zbulua se për rreth dy vite ka detyruar bashkëshorten e tij 52-vjeçare që në këmbim të parave të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm të cilët i ka siguruar ai.
Pas arrestimit, 51-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit në praninë e avokatit të tij mbrojtës.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Rushiti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Trafikim me njerëz’.
Kujtojmë se muajt e fundit janë zbuluar një numër i madh i rasteve të prostitucionit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.