Site icon PrishtinaPress

E sulmoi Rrahman Jasharajn kur i tha ”vëlla”, Kurti me gjuhën e kryesindikalistit u drejtohet shqiptarëve të Luginës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me shprehje vëllazërore u është drejtuar shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas regjistrimit të popullsisë.

Kurtit i pengonte shumë kur kryesindikalisti Rrahman Jasharaj i kishte thënë “vëlla”, por sot ai iu drejtua shqiptarëve të Luginës së Preshevës me gjuhën që atij i pengonte, si vëllezër e motra.

“Të nderuar qytetarë shqiptarë në Serbi, të dashura motra e vëllezër nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Nga 1 tetori e deri më sot, kur po përfundon regjistrimi i popullsisë dhe pasurive, shqiptarët që jetojnë në Serbi e të cilët në vazhdimësi përballen me diskriminim në bazë të kombësisë, e së fundmi edhe me pasivizim të adresave, iu përgjigjën masivisht procesit të regjistrimit. Që në ditën e parë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës bëra thirrje që regjistrimin e popullsisë mos ta trajtojmë vetëm si veprim i natyrshëm, por si veprim kombëtar e historik. Sepse shqiptarët në Serbi, e me theks të veçantë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me qytetarët e tjerë.”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, në rrethana normale e në vende me demokraci të zhvilluar e liri të garantuara, ky proces do të trajtohej si proces i natyrshëm, por në të tilla rrethana nuk jetojnë shqiptarët në Serbi. Po ashtu, Kurti ka thënë se ata po përballen me mosintegrim e me shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

“Sot, kur po përfundon një proces me interes të veçantë edhe për Qeverinë e Republikës së Kosovës, informacionet që vijnë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, janë se përkundër pengesave të shfaqura gjatë procesit të regjistrimit, shqiptarët janë aktivizuar në maksimum për një muaj rresht, që të regjistrohen të gjithë, e edhe ata që janë me banim të përkohshëm në Kosovë e diasporë. U jam mirënjohës sot tërë spektrit politik shqiptar anekënd, shoqatave, organizatave joqeveritare, klerikëve fetarë e në veçanti secilit regjistrues shqiptar për angazhimin e palodhur që për një muaj të regjistrojnë çdo shqiptar.”, ka shkruar Kurti.

Ai ka kërkuar vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare për procesin e përpunimit të të dhënave nga ana e Serbisë.

“Po ashtu, falënderoj punëdhënësit në Kosovë, që kanë liruar punëtorët nga puna për ditët që u janë nevojitur për regjistrim. Njëkohësisht u bëj thirrje, që njëjtë të veprojnë edhe pasditen e sotme. Jemi të vetëdijshëm që edhe përpunimi i të dhënave, proces në të cilin shqiptarët nuk do të kenë qasje, është shumë i rëndësishëm. Duke pasur parasysh deklaratat skandaloze të kreut të Serbisë se shifrat e paraqitura, ende pa përfunduar procesi, janë shifra të fryera nga shqiptarët, kërkojmë vëzhgim nga bashkësia ndërkombëtare. Këto deklarata dëshmojnë se pse procesi i regjistrimit të popullsisë e pasurive, për shqiptarët ka rëndësi historike e kombëtare.”, ka thënë ai.

Exit mobile version