Dy aksidente janë regjistruar në rrethinë të Prishtinës këtë të shtunë, e të cilat kanë përfunduar edhe në tragjedi. Aksidenti i tretë, po ashtu me fatalitet, është regjistruar në Pejë.
Siç ka konfirmuar, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, aksidenti i parë ka ndodhur në rrugën Llapsanellë-Graqanicë, ku për pasojë ka vdekur një person.
“Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka njoftuar Ahmeti.
Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.
Ndërsa aksidenti tjetër ka ndodhur pas orës 20:00 të mbrëmjes, në Podujevë, ku nga përplasja e një veture kanë vdekur dy nga tre personat e lënduar.
“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur”.
Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, tregoi zëdhënësja e Policisë, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut.
Aksidenti tjetër fatal është regjistruar në Pejë, pas orës 21:00 të mbrëmjes.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka thënë se një veturë ka përplasur tre këmbësorë, dy prej të cilëve kanë vdekur.
I aksidentuari i tretë aktualisht është duke u mjekuar në Spitalin e Pejës.
“Sonte rreth orës 21:30 policia është informuar për një aksident në fshatin Ozdrim të Pejës. Në këtë aksident ka qenë e involvuar një veturë dhe tre këmbësorë, ku si pasojë e këtij aksidenti dy nga këmbësorët kanë vdekur, vdekjen e së cilëve e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe këmbësori i tretë është dërguar në spitalin e Pejës”, ka deklaruar Rugova.