Site icon PrishtinaPress

​E refuzuar për mësuese nga komuna, gruaja nga Deçani filloi të merret me bletë

Jehona Abdullahu-Dabiqaj nga Prilepi i Deçanit e diplomuar në master e shkencave menaxhment dhe teknologji, në pamundësi të ishte e pranuar në njërën nga shkollat në këtë komunë për të ushtruar profesionin e saj si mësuese, ka filluar të merret me bletari.

Dabiqaj e cila merret tash e 13-të vite me bletari, tregon për KosovaPress, sfidat dhe të mirat e këtij profesioni. Ajo tha se pavarësisht që gjatë një ditë të punës ka ndodhur që të këtë rreth 80 pickime nga bletët, asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje ta braktisë këtë profesion, derisa ka treguar edhe sa fitimprurës është si punë.

Ndonëse ka pasur oferta pune nga shtetet tjera, ajo tha se i ka refuzuar, pasi ka dëshirë që fëmijët e saj të shkollohen fillimisht në Kosovë.

Dabiqaj tha se si femen nuk është e lehtë aspak të merresh me bletë, porse tha se ka pasur gjithmonë mbështetjen e bashkëshortit.

“Meqenëse dëshira ime është shumë e madhe dhe motivimi i madh për mësimdhënie dhe mësim nxënie nuk kam pasur sukses të jem e punësuar, duke i marrë parasysh kushtet ekonomike të familjes kam vazhduar me këtë biznes familjar, të cilën e kemi bletarinë të trashëguar nga familja dhe tani merrem vetëm me këtë biznes deri në momentin që do të punësohem, por assesi nuk do e lë anash biznesin e bletarisë…3:25 Si femen në bletari është shumë e vështirë sepse ne femrat i kemi edhe obligimet tjera familjare por meqenëse kam bashkëshortin krahë të djathtë dhe punojmë vazhdimisht bashkë, i përballojmë sfidat së bashku”, tha Dabiqaj.

Dabiqaj rrëfen si filloi pasioni të merret me bletari, derisa tha se e ka të trashëguar nga familja e saj e se në të ardhmen ka dëshirë që edhe fëmijët e saj ta trashëgojnë.

Ajo tregon dobitë dhe rrezikshmërinë e bletës, me të cilën tha se nëse personi është alergjik ndaj bletës mund të vijë deri të vdekja.

“Në fillim të vitit 2009 e kam pas të vështirë të merrem me bletari, sepse si vajzë e re dhe pickimi i bletarisë ishte shumë i vështirë ndaj meje, por me kalimin e kohës dhe sakrifica për familjen, atëherë u adaptova të merrem dhe lindi pasioni dhe dashuria shumë e madhe për bletën, sa sot jam këtu shumë e lumtur dhe nuk mund të jetojë pa bletë, është një dhunti shumë e madhe dhe një trashëgimi familjare të cilën dua ta lë brez edhe të fëmijët… Asnjëherë nuk kam menduar se do ta kem një ekzistencë të jetës nga bletët, sepse çdo herë kam menduar t’a përfundojë shkollën dhe të avancohem vetëm në këtë drejtim. Por, mbase kushtet dhe jeta me sfida të ndryshme, jam orientuar në bletari, në të cilën ka një rrezikshmëri të lartë, pasi varet nga kushtet klimatike por edhe nga pickimi i bletës, sepse nëse je alergjik nga pickimi i bletës atëherë mund të shkojë edhe deri te vdekja e atij personi, por ka edhe anët pozitive, nëse njeriu nuk është alergjik, atëherë vjen deri te shërimi i sëmundjes që ka ai person”, rrëfen Dabiqaj.

Ajo shtoi se nga 35 familje bletësh në vitin 2019, tani ka rreth 800. Sipas saj, profesioni i bletarisë kërkon shumë punë.

“Në vitin 2015 i kam pas 35 familje bletësh, ku unë dhe bashkëshorti im gjatë punës dhe përkushtimit shumë të madh që punojmë rregullisht, tani në vitin 2022 i kemi rreth 800 bletë, për të cilat në sezonin e punës zgjohemi në 03:00 të mëngjesit dhe vazhdojmë të punojmë deri në 00:00 pas mesnate, ndërsa jashtë sezonit zgjohem në 08:00, varësisht prej kushteve klimatike dhe proceseve të punës në bletari… Në bletari lodhja është shumë e lartë sepse gjatë sezonit të punës duhet t’i përkushtohesh me seriozitet. Nëse një bletar nuk i kushtohet me seriozitet gjatë sezonit të punës, atëherë do të mbetet pa bletë”, tha Dabiqaj.

Më tej, Dabiqaj tha se tashmë është bërë imune nga pickimi i bletëve.

“Meqenëse gjatë nxjerrjes së mjaltit kemi pickime të shumta, kemi afër rreth 80 pickimeve të bletëve brenda një dite, sepse unë nuk mundëm të punojë me dorëza siç punojnë shumica e bletarëve, duart i kam pa dorëza dhe pickimet janë shumë më të shpeshta, sepse acarimi i bletës kur e nxjerrim mjaltin është i ashpër, në këtë formë duhet t’i ballafaqohem edhe pickimit të bletës… Në fillim kur më ka pickuar një bletë, atë ditë nuk kam punuar sepse kam pas djegie të madhe dhe jam ndier shumë keq, por me kalimin e kohës dhe tash nëse më pickojnë bletët jam imune ndaj bletarisë dhe nuk e kam helmin e bletës shumë reaksion të madh ndaj duarve”, tregoi Dabiqaj në një intervistë për KosovaPress.

Sipas saj, bletaria është e rëndësishme për mbajtjen ekologjike të vendit, derisa shtoi se nëse një vend ka bletë sa më shumë, ai vend është shumë i pasur në të gjitha mënyrat e mundshme. Ajo është shprehur me fat që në Komunën e Deçanit kanë një numër të madh të bletarisë.

Dabiqaj bënë thirrje të rinjve të merren me këtë profesion, pasi sipas saj përveç që është punë e mirë ka edhe mjaft të ardhura në familje.

Siç tha ajo, deri tash ka refuzuar të gjitha ofertat që kishte për të migruar, derisa shtoi se dëshira e saj është që fëmijët e saj të shkollohen në Kosovë.

“Meqenëse në Kosovë është migrimi shumë i madh dhe të rinjtë nga Kosova janë duke u larguar, sidomos pjesa e rajonit të Dukagjinit, i kisha preferuar vajzave të reja dhe djemve të ri, të merren me bletari sepse është një punë shumë e mirë dhe fisnike, dhe ka fitim prurje në familje… Unë deri më tash kam pasur gjashtë oferta serioze të cilat në tri oferta ka qenë bashkëpunimi biznes me biznes me bletari, por kam pasur ofertë të shkojë edhe jashtë Kosovës për me qenë trajnerë e bletarisë, por meqenëse dëshira ime dhe amaneti i prindërve që fëmijët të më shkollohen në Kosovë, deri atëherë jam për të qëndruar në Kosovë”, theksoi Dabiqaj.

Në fund, ajo tha se qytetarët e vendit janë vetëdijesuar që ta konsumojnë mjaltin si ushqim të përditshëm dhe jo vetëm kur janë të sëmurë. Derisa shton se më e madhe është kërkesa se oferta për mjaltë.

“Tani në Kosovë dhe jashtë Kosovës siç dihet janë të vetëdijesuar për konsumimin e mjaltit. Këtu në Kosovë kanë filluar shumica të konsumojnë mjaltin si ushqim të përditshëm, jo vetëm kur janë të sëmurë. Kështu është kërkesa shumë e lartë, por nuk është se mundemi ta mbulojmë një bletar Kosovën për kërkesën që kanë”, tha për fund Dabiqaj.

Exit mobile version