Transferimi i Lionel Messit në Amerikë ka zgjuar interesim të madh te qytetarët amerikanë për ta ndjekur nga afër sulmuesin argjentinas.
Messi para dy ditësh vendosi që të transferohej te skuadra e Inter Miami në Amerikë, për ta lënë përfundimisht Evropën.
Siç është bërë e ditur, të gjitha biletat e ndeshjeve të Inter Miami deri në përfundim të sezonit janë shitur, ndërkohë që çmimet e bilateve janë rritur shumë.
Ndërkaq, duke parë shitjen e shpejtë të biletave pa biletë ka mbetur edhe miku më i mirë i Messit, Sergio Aguero.
Sulmuesi argjentinas foli në një emison televiziv dhe pohoi se as ai vetë nuk ka mundur të sigurojë praninë e tij në tribunë.
“I kërkova Messit një biletë për një ndeshje të Inter Miami dhe ai më tha që ishin shitur të gjitha. Nuk ka bileta. Nuk e di se çfarë po ndodh”, ishin fjalët e Agueros
Përpos shitjeve të biletave transferimi i Messit ka ndikuar edhe në rritjen e ndjekësve në faqen zyrtare të klubit në Instagram. Për rreth 24 orë mbi 5 milionë ndjekës i janë shtuar faqes zyrtare të Inter Miami.
Messi ka nënshkruar kontratë dy vjeçare me klubin amerikan, ku pritet të përfitojë rreth 100 milionë euro në sezon. Argjentinasi do të përfitojë edhe nga marrëveshjet e sponsorizimit me Apple TV, Nike e Adidas.