E moshuara e cila u rrah në qendrën ku duhej t’i ofrohej përkujdesje në Pejë, ka dalë nga aty.
Dhëndrri i saj ka prezantuar para gazetarëve dokumentin të cilin e morën pasi bënë kërkesë që ajo të dalë nga aty.
Në dokument thuhet se ajo “tërhiqet nga Qendra për përkujdesjen e të moshuarve, Orenda” dhe se “tërheqja bëhet me kërkesë të familjarëve”.
Infermieret që u arrestuan dhe u ndaluan për 48 orë, si të dyshuara për rastin e tmerrshëm të rrahjes së të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë përveç Aurona Pelajt, janë Altina Rexhepi dhe Remzie Kuqi, mëson Sinjali.
Policia në Pejë e ka konfirmuar se punonjëset e shtëpisë së pleqve “Orenda” janë arrestuar në lidhje me rastin e sulmit fizik ndaj të moshuarës në Pejë, teksa nga Prokuroria kanë bërë të ditur se tri të dyshuarat janë ndaluar për 48 orë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se të dyshuarat ngarkohen me tri vepra penale dhe ndaj të njëjtave është caktuar masa e ndalimit.
“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit”, tha ai.
Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.