Site icon PrishtinaPress

“E mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës…” – ngritet aktakuza ndaj gruas që vrau kunatën në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurës N.A., pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Sipas aktakuzës, e pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – motrën e bashkëshortit me të cilën kanë jetuar bashk.

“Më datë 23.12.2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës N.A., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit dhe me një copë dërrase të llamperisë, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi e godet në pjesën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi, me datë 26.12.2022  rreth orës 05:30 viktima S.D., vdes”, thuhet në një njoftim për media.

Ndaj, sipas njoftimit prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.​

Exit mobile version