Site icon PrishtinaPress

E krahasojnë me Hakimin, rrëfehet Agan Mjaki: Këndimi i himnit kombëtar arritja ime më e madhe

Agan Mjaki ka shumë dëshirë të sulmojë në fushë. Mbrojtësi i djathtë, i aktivizuar me Groningen II në Holandë, rrëfën në “Talenti shqiptar” si iu fut botës së futbollit në vegjëli, mbështetjen e dhënë nga familja dhe emocionet e mëdha që ka pasur kur u ftua nga Shqipëria U21. Mjaki, të cilin e krahasojnë shpesh me Hakimin e PSG-së, e cilëson si arritjen më të madhe këndimin e himnit. Futbollisti 20-vjeçar sigurisht që ka edhe ëndrra, si dhe një lojtar që e motivon dhe ai është Granit Xhaka, mesfushori i Zvicrës dhe Bayer Leverkusen në Bundesliga.

Agan, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?

– Mami ka qenë ajo që më ka regjistruar në një ekip futbolli që në moshën 5-vjeçare. E bëri diçka të tillë sepse isha gjithë kohën me topin në këmbë, plus kisha edhe dajën që lunate futboll në Maqedoninë e Veriut.

Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?

– Familja është shtysa ime në futboll. Dua të ngjitem sa më lart, pasi dua ta bëj krenare familjen time që më ka ndihmuar në çdo moment.

Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?

– Daja është ai që më këshillon më shumë. Ai ka lujtur në Maqedoninë e Veriut kur ishte i ri dhe është persioni që ka mundur të më ndihmojë në shumë gjëra që lidhen me futbollin, por edhe me sakrificat që bëhen jashtë fushës së blertë.

Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U21?

– Ka qenë ëndrra ime që të luaj për Shqipërinë dhe të këndoj himnin shqiptar. Kur e mora ftesën nga Shqipëria nuk u mendova fare, zgjodha Shqipërinë para Maqedonisë së Veriut. Jam shumë i kënaqur që mund të luaj me flamurin shqiptar pranë zemrës.

Çfarë mund të veçoni deri më tani nga jeta juaj futbollistike? Ka një arritje për të cilën jeni krenar?*

– Momentin e parë kur kam kënduar himnin e Shqipërisë. Është një prej arritjeve të mia më të mëdha. Ka qenë një moment me shumë emocione dhe i kam bërë edhe prindërit e mi krenarë kur ka ndodhur ajo gjë.

Kush është lojtari që ju motivon më së shumti, që e keni si shembull?

Lojtari që më motivon më së shumti është Granit Xhaka, pasi është një lojtar që lufton dhe nuk dorëzohet kurrë, por vazhdon e luan me zemër.

A ju krahasojnë me ndonjë futbollist të njohur dhe pse?

– Me krahasojnë me Achraf Hakimin e PSG-se, pasi  edhe unë jam një lojtar që preferon të sulmojë më shumë se të mbrojë. Gjithsesi, kur është puna që duhet të mbrojmë, edhe unë jam gati.

Duke parë që ju luani jashtë dhe shumë elementë të tjerë të rinj luajnë në kampionate të rëndësishme europiane, a mendoni se Shqipëria ka një të ardhme të ndritur?

–Shqipëria ka shumë talente jashtë, po edhe brenda vendit. Mendoj që mund të shkojmë shumë lart. Edhe ky brez që jemi tani te Shqipëria U21, mendoj se do arrijmë lart pasi është një grup me shumë talent.

Vetë ju personalisht, cilin keni synimin më të madh në futboll?

– Ëndrra ime është që të luaj me Kombëtaren A në një kampionat Europian ose Botëror.

Exit mobile version