Departamenti amerikan i Thesarit ka konfirmuar vendosjen e sanksioneve ndaj NIS, Industrisë së Naftës së Serbisë, për shkak të pronësisë ruse.
Është bërë me dije po ashtu se sanksioneve, u është bashkuar edhe Britania e Madhe.
Thesari njoftoi të premten se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas. Kështu, është sanksionuar edhe kompania NIS, për shkak të ndërlidhjes me këtë të parën.
Kompania ruse zotëron 50 për qind të aksioneve në NIS, derisa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve dhe kompania Gazprom ka 6.15 për qind të aksioneve.
Në njoftim, Thesari amerikan tha:
“Sot, Departamenti i Thesarit i SHBA-së ndërmori veprime gjithëpërfshirëse për të përmbushur angazhimin e G7 për të reduktuar të ardhurat ruse nga energjia, duke përfshirë bllokimin e dy prodhuesve kryesorë rusë të naftës. Veprimet e sotme vendosin gjithashtu sanksione ndaj një numri të paprecedentë të anijeve transportuese të naftës, shumë prej të cilave janë pjesë e “flotës hije”, tregtarëve të errët të naftës ruse, ofruesve të shërbimeve të fushës së naftës me bazë në Rusi dhe zyrtarëve rusë të energjisë. Veprimet e sotme mbështeten nga nxjerrja e një vendimi të ri që autorizon sanksione në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv (E.O.) 14024 kundër personave që operojnë ose kanë operuar në sektorin energjetik të ekonomisë së Federatës Ruse. Këto veprime rrisin ndjeshëm rreziqet e sanksioneve që lidhen me tregtinë ruse të naftës.
Mbretëria e Bashkuar (MB) gjithashtu po ndërmerr veprime sot, duke iu bashkuar Thesarit në sanksionimin e dy prodhuesve kryesorë rusë të naftës”.
Para pak ditësh, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq foli në lidhje me këto sanksione, duke paralajmëruar se do të ketë diskutime me ambasadorin e ShBA-së në Serbi, Christopher Hill mbi këtë çështje.
“Ata do të na japin 30 ditë kohë që të shohim mbi mundësitë dhe të ndërmirret ndonjë veprim, në 60 ditë do të kompletohet procesi. Para datës 15, ata do të dalin zyrtarisht me vendimin, para 15 shkurtit do të dijmë se çfarë të bëjmë” – ka thënë Vuçiq.
Vuçiq ka thënë se do të flasë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin rreth datës 25 janar, kur “do të kuptojë se çka do të sjellin bisedimet me administratën amerikane”.
“Për sa i përket gazit, si rusët ashtu edhe Azerbajxhani janë partnerë të besueshëm për ne. Ne kemi rreth 430 milionë metra kub gaz në rezervë. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për energjinë elektrike” – ka shtuar ai.