Site icon PrishtinaPress

E djathta ekstreme e Serbisë po e shfrytëzon luftën e Putinit për të tentuar rimarrjen e Kosovës

Ultra-nacionalistët në Serbi, po e përdorin pushtimin rus të Ukrainës për të nxitur fushatën e tyre kundër pavarësisë së Kosovës. Ndërkohë aktivistët kundër luftës po gjenden midis dy “zjarreve. Politikanët në krahun e djathtë të presidentit serb Aleksandar Vucic, e kanë nuhatur shumë shpejt mundësinë e artë për ta lidhur luftën e Rusisë kundër Ukrainës me dëshirën e tyre për të gllabëruar sërish Kosovën.

Dhe kjo ndonëse Vuciq është i angazhuar në negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të normalizuar pjesërisht marrëdhëniet me Kosovën, pavarësia e së cilës nuk njihet as nga Beogradi dhe as nga Moska. Një fitore e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, është një nxitje për Serbinë që ta rifitojë Kosovën, thotë Misha Vacic, lideri i partisë politike ultra-nacionaliste dhe pro-Kremlinit, e djathta Serbe.

“Ne duhet të jemi të durueshëm dhe të presim përfundimin e pushtimit në Ukrainë. Më pas do të kemi kohë të mjaftueshme për aksionin tonë”- thotë ai për POLITICO. Më shumë se 200.000 rusë kanë mbërritur në Serbi që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.

Duke qenë ndër pak vende evropiane që lejon hyrjen pa viza për shtetasit rusë, Serbia ofron një strehë të sigurt për ata që largohen nga Rusia për arsye që variojnë nga ekonomike në ato ideologjike. Vacic, që në shtator 2022 shkoi në Donetsk-un e pushtuar nga Rusia për të vëzhguar të ashtuquajturin referendum për bashkimin e një pjesë të këtij rajoni me Rusinë, që u kritikua ashpër nga qeveritë perëndimore si i manipuluar, pretendon se aktivistët liberalë rusë në Serbi përbëjnë një kërcënim për realizimin e shoqërisë së tij ideale, sidomos nëse bashkojnë forcat me homologët e tyre rusë.

“Është një revolucion i vërtetë i liberalëve. Edhe nëse vetëm 10 për qind e rusëve që kanë ardhur së fundmi do të ishin aktivistë liberalë, Serbia do të kishte ende të paktën 20.000 armiq politikë. Ata mendojnë se duhet ta çlirojnë Serbinë nga serbët, nga vlerat tradicionale serbe”- thekson Vaciq.

Në mesin e rusëve që kanë mbërritur në Beograd që kur Putini nisi pushtimin e tij të plotë të Ukrainës vitin e kaluar është edhe Ilya Zernov. Aktivisti politik 19-vjeçar nga Tolyatti në Rusinë Jugperëndimore kërkoi strehim në Beograd marsin e kaluar. Protestat e tij kundër luftës nxitën një kontroll të policisë në konviktin ku qëndronte në Kazan.

“E kuptova se s’mund të vazhdoja studimet e mia, dhe nuk mund të kthehem dot në Rusi për një kohë të gjatë”- thotë Zernov për POLITICO, duke shtuar se policia që kontrolloi konviktin e tij e kërcënoi me dhunë dhe me burgim. Zernov është një pjesëmarrës aktiv në Shoqërinë Demokratike Ruse (RDS), një organizatë kundër luftës e themeluar vitin e kaluar në Beograd, me qëllimin e deklaruar mbështetjen e fitores së Ukrainës.

Që nga ajo kohë, ajo është shfaqur si një nga grupet më të dukshme pro-ukrainase në Serbi, duke organizuar rregullisht protesta në rrugë. Por në një vend ku Putini gëzon një mbështetje të konsiderueshme dhe në mesin e një lëvizjeje ultra-nacionaliste gjithnjë e më agresive, aktivistët kundër luftës janë një objektiv i vazhdueshëm.

Zernov raportoi në polici muajin e kaluar se Vacic e kishte sulmuar fizikisht. Sulmi, për të cilin Zernov tha se ndodhi pasi ai u përpoq të shkruante mbi disa parulla anti-ukrainase në murin e një blloku apartamentesh në Beograd, i shkakton çarjen e daulles së njërit nga veshët.

Vetë Vacic e mohon këtë akuzë. Kërcënimet për dhunë penguan planet për të mbajtur 2 tubime kundër luftës në përvjetorin e parë të pushtimit të Rusisë. “Policia na paralajmëroi se kishte informacione mbi një sërë provokimesh të dhunshme që po planifikoheshin nga këta përfaqësues të ekstremit të djathtë”- thotë bashkëthemeluesi i RDS Peter Nikitin, grupi i të cilit organizoi njërën nga protestat.

Po ashtu, ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet e Vacic, se grupi i tij dhe ata si ai po synojnë të bëjnë fushatë për problemet sociale në Serbi. “Synimi ynë i vetëm është t’i tregojmë botës dhe publikut serb se çfarë po ndodh, dhe ta mobilizojmë opinionin publik në mbështetje të Ukrainën. Vacic po mbron drejtpërdrejt interesat ruse dhe interesat e Putinit në Serbi, dhe po përpiqet ta kthejë Serbinë më pranë Rusisë”- thekson Nikitin.

Me afrimin e përvjetorit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia muajin e kaluar, në Beograd u rritën shumë tensionet. Gjatë një tubimi të ekstremit të djathtë në mesin e shkurtit pjesëmarrësit që tentuan të hynin në zyrën e presidentit Vucic.

Damjan Knezeviç, lideri i rrjetit të ekstremit të djathtë, Patrulla Popullore, mbajti një fjalim të zjarrtë para një turme prej rreth 1.000 vetash duke bërë thirrje për rrëzimin e Vucic, në mesin e një debati të nxehtë kombëtar mbi propozimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Serbi-Kosovë.

Shumë nga të pranishmit tundnin flamujt rusë ose mbanin simbole pro-luftës, duke përfshirë shkronjën “Z” të përdorur nga ushtria ruse në automjetet e saj ushtarake në Ukrainë dhe logon e Grupit Vgner, një ushtri mercenare që e mbështet luftën e Putinit. Policia arrestoi të nesërmen Knezevic dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë me akuzën e nxitjes së dhunës.

Në ditën e tubimit, një tjetër anëtar i Patrullës Popullore u arrestua në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad, me akuzat për armëmbajtje pa leje, pasi iu gjet një armë dhe municione. Arrestimet e shtuan zemërimin në mesin e ndjekësve të Patrullës Popullore, të cilët planifikuan të mbanin një tubim pro luftës më 24 shkurt, shumë pranë protestës kundër luftës të organizuar nga RDS.

Ditën e tubimit, sipas këshillave të policisë, RDS mbajti një version të zvogëluar të aktivitetit. Gjithsesi ka njëfarë shprese për ukrainasit dhe rusët kundër luftës që janë strehuar në Serbi:ofensiva e ngecur e Putinit i ka demoralizuar edhe ultra-nacionalistët serbë.

“Ata ishin shumë entuziastë sepse prisnin që Putini ta nënshtronte Ukrainën brenda 3 ditësh, Më pas menduan se ai do të thoshte që ne duhet ta rimarrim Kosovën”- thotë Čedomir Stojković, një avokat në Beograd që heton ndikimin e fshehtë të Rusisë në vendin e tij. “Por me kalimin e kohës, pasi lufta nuk rrodhi ashtu siç prisnin radikalët. Pritshmëritë nisën të ndryshojnë dhe tani nuk ekziston më entuziazmi i dikurshëm” tha ai.

Exit mobile version