Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Gjurgjevik të Vogël të Klinës, ku një person është gjetur pa shenja jete në një rrugë afër fshatit, raporton Gazeta Sinjali.
Brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë kanë bërë me dije se 70-vjeçari është dërguar atje pa shenja jete dhe më pas është transferuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës.
Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
I ndjeri është Maxhun Elezaj dhe i njëjti dyshohet se humbi jetën si pasojë e një sulmi kardiak.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë deklaratën e dëshmitarit të rastit.
Bazuar në dëshminë e dëshmitarit që gjeti Elezajn pa ndjenja, ai ishte duke kryer punë në fushë dhe menjëherë më pas e ka dërguar në spital.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i është dorëzuar familjes për ceremoninë mortore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’.
Ndërkohë njoftimin mortor e kanë dhënë edhe familjarët, ku bëhet e ditur se varrimi i të ndjerit do të bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e fshatit Gjurgjevik i Vogël.