Vajzat dhe gratë vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve, sidomos të atyre në rrjete sociale e rrugë. Burra të moshave të ndryshme ngacmojnë me fjalë e veprime të ndryshme të cilat krijojnë shqetësim te gjinia femërore, raporton Gazeta Sinjali.
Me një situatë të tillë është përballur një grua në Prishtinë, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë pas ngacmimeve të vazhdueshme nga një 50-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari në mënyrë të vazhdueshme ka ngacmuar në rrjete sociale 44-vjeçaren.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim’.