Policia e Kosovës, bazuar në autorizimet ligjore dhe në koordinim me autoritetet e drejtësisë, ka ndërmarrë veprime të nevojshme, nën dyshimet se gjatë vitit 2021, pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga Institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.
Lidhur me rastin, pas veprimeve hetimore, është vërtetuar se të dyshuarit kanë paraqitur si referenca në dosjet e tenderëve në vitin 2021, referenca të cilat nuk i kanë fare të deklaruara në qarkullim në Administratën Tatimore të Kosovës dhe qarkullimin Bankar të Falsifikuar në një bankë.
Vlera e tenderëve të fituar sillet rreth 100,000.00 euro (një qind mijë euro).
Gajtë ditës së sotme, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, janë paraqitur për intervistim në cilësinë e të dyshuarve personat me iniciale (S.D. dhe A.D.) nën dyshimin për vepër penale:
“Falsifikim i dokumenteve” dhe “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, sipas kodit penal.
Pas përfundimit të intervistimit është njoftuar prokurori i rastit dhe me vendim të tij, të dyshuarit e sipërshënuar me iniciale vendoset të dërgohen në Qendër të Mbajtjes.
I dyshuari (A. D.) është dërguar ne Qendrën e Mbajtjes, ndërsa i dyshuari (S. D.) me rekomandim të mjekëve dhe në konsultim me Prokurorin e rastit, për shkaqe shëndetësore, dërgohet për trajtim në përkujdesje mjekësore në sigurim të Policisë.