Një konkurs i hapur në Agjencinë për Informim dhe Privatësi për pozitën Udhëheqës i Divizionit për Monitorim dhe Raportim, po shpërfaqë dyshimet se brenda këtij institucionit punësimet po bëhen mbi baza jo-parimore.
Krejt kjo, sipas disa ish-pretendentëve për pozitën në fjalë, po dyshohet është bërë me vendimin e Komisioneres, Krenare Sogojeva-Dërmaku e cila e udhëheq këtë institucion.
Përpara se të hapet konkursi, siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, Sogojeva ka vendosur që pozita Udhëheqës Divizioni t’i takoj njërit prej punonjësve brenda AIK-së, ndonëse konkursi i hapur i jepte të drejtë konkurrimi secilit shërbyes civil që punojnë në institucione tjera të Republikës së Kosovës.
Më pas, siç merr vesh Reporteri.net, Sogojeva ka hapur konkursin duke u siguruar që i preferuari i saj (emër i njohur për redaksinë) të jetë fitues.
Duke qenë se dihej fituesi ende pa u shpallur konkursi, disa nga pretendenet për këtë pozitë i kanë thënë gazetës se asnjëri nga zyrtarët brenda AIP-së nuk kanë konkurruar për këtë pozitë. Por jashtë këtij institucionit ka pasur më shumë se 10 zyrtarë tjerë publikë që kanë konkurruar.
Njëri prej tyre në kushte anonimiteti e ka denoncuar në hollësi procesin, tek gazeta online Reporteri.net, kur ka marrë vesh se pas testimit të konkursit fitues doli kandidati që veçse ishte në punë në AIP.
Mbi baza të këtyre dyshimeve, gazeta ka marrë vesh se edhe një konkurrent tjetër është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, pasi i njëjti ka dyshime të bazuara se fituesit, i janë dhënë paraprakisht pyetjet e po ashtu gjatë testimit në MPB, mbikëqyrësit e procesit po dyshohet e kanë ndihmuar zyrtarin e AIP-së.
Pas këtyre dyshimeve dhe informatave që ka siguruar gazeta, gazeta online Reporteri.net i ka dërguar pyetje komisioneres, Dermaku-Sogojeva për të kuptuar nëse pohimet e konkurrentëve që janë ankuar janë të vërteta.
E pyetur nga Reporteri.net, a kanë qenë të barabartë të gjithë konkurrentët në këtë garë, Sogujeva përmes zyrës për Informim të AIP është përgjigjur: “Të gjithë kandidatët konkurrent i janë nënshtruar procedurave të hapura dhe transparente të konkursit, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”.
Kurse e pyetur se si arriti zyrtari i AIP-së, të avancohet në pozitën Udhëheqës divizioni për monitorim dhe raportim sërish Sogojeva ka përsëritur vetën.
“Secili zyrtar i shërbimit civil që plotëson kriteret e përcaktuara për avancim ka të drejtë të konkurrojë dhe t’i nënshtrohet procedurave të parapara me legjislacion përkatës në fuqi”, ka thënë ajo në përgjigjen e saj me shkrim.
E pyetur po ashtu, se cilat kanë qenë përparësitë e zyrtarit të AIP-së, që ai të paracaktohet si fitues nga Sogojova, përpara se konkursi të hapet, komisionerja është përgjigjur: “Fituesi përcaktohet pasi t’i nënshtrohet procedurave të konkurrimit (testimit elektronik me shkrim në MPB/administratës publike dhe intervistës) ashtu siç përcaktohet me legjislacionin përkatës në fuqi”.
E në pyetjen rreth akuzave se Dermaku ka ndihmuar zyrtarin e AIP-së për t’u avancuar në këtë pozitë, komisionerja i është përgjigjur se “çdo nëpunës civil që plotëson kriteret e parapara ka të drejtë të konkurroj dhe t’i nënshtrohet procesit të përzgjedhjes, sipas legjislacionit përkatës në fuqi”./Reporteri.net/.