Site icon PrishtinaPress

Dyshime për arsyen e ikjes së Mehmetit nga pozita e drejtorit të Policisë, pasuesin e tij e lidhin me VV-në

Dorëheqja e Samedin Mehmetit nga pozita e drejtorit të Policisë erdhi befas të martën. Në vendin e tij u vu një kolonel, i cili fillimisht do të njihet për pasurinë e tij.

Samedin Mehmeti të martën dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës me një arsyetim të thjeshtë. Tha se po e lëshon drejtimin e Policisë për shkak të ngjarjes së rëndë të dhunimit të vajzës 11-vjeçare të shtunën në parkun e lagjes “Arbëria” në Prishtinë.

“Pas një rasti kaq të rëndë, besoj është akt profesional të jap dorëheqje”, i tha Expressit tani ish-drejtori.

Arsyen e njëjtë e tha ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kur njoftoi për dorëheqjen e kryepolicit.

“Kjo kërkesë sipas z. Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, shkroi Sveçla në Facebook.

Kryeministri ia pranoi dorëheqjen menjëherë. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tregoi se ushtrues detyre i drejtorit të Policisë u caktua zëvendësdrejtori Fehmi Hoti.

Paparaci raportoi se Hoti është miku i ish-shefit të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

“Tashmë Kryeministri Kurti ka liruar nga detyra z. Mehmeti dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm z. Fehmi Hoti, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës”, shkroi Sveçla, duke e falënderuar Mehmetin për angazhimin dhe “bashkëpunimin e mirë”.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, dikur drejtor i Policisë, tha se dorëheqja e Mehmetit nuk u bë për shkak të dhunimit të 11-vjeçares. Sipas tij, Mehmeti ishte paralajmëruar se do të shkarkohej dhe se “është shfrytëzuar ky rast si pretekst”.

“Unë kam pasur informata nga burime të ndryshme që drejtori do të shkarkohet disa ditë më herët, mund të them edhe që një javë më herët, mirëpo është shfrytëzuar ky rast si pretekst në mënyrë që drejtori i policisë të ofrojë dorëheqjen, por në fakt atij i është kërkuar dorëheqja sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha Qalaj në Klan Kosova.

Mehmeti ishte emëruar drejtor i Policisë në janar të vitit 2021, nga atëherë Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Kush është zëvendësusesi i Mehmetit në krye të Policisë

Fehmi Hoti, kolonel, muaj më parë ishte vendosur në pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Më herët, Hoti ishte drejtor i Policisë për rajonin e Prishtinës. Në këtë pozitë ishte vënë pasi paraprakisht kishte qenë drejtor i Divizionit për Hetimin e Krimit në PK.

Ajo që dihet me siguri për Fehmi Hotin, është se është goxha i pasur. Në deklarimin e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit figurojnë pesë banesa, një shtëpi, një lokal dhe tri parcela toke. Të gjitha këto kanë vlerën e mbi gjysmë milioni euro. Krejt thotë se i ka trashëguar nga familja.

Në dy llogari bankare, Fehmi Hoti mban mbi 38 mijë euro para të gatshme.

Ai posedon po ashtu dy vetura në vlerë prej 35 mijë eurosh, të cilat i bleu, siç deklaron, “nga kursimet e te ardhurave vjetore”.

Exit mobile version