2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Dymbëdhjetë vite burgim për Ekrem Bajroviqin për krime lufte kundër civilëve më 1999

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile në bashkëkryerje”.

Të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga data 19.10.2022 e tutje, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me këtë aktgjykim. Ndaj të akuzuarit Bajroviq vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me burgim.

Sipas Gjykatës, i akuzuari detyrohet që t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumë prej treqind (300) euro si dhe në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej njëqind (100) euro, të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest të rregullt juridiko-civil.

Aktakuza ndaj Ekrem Bajroviqit

Gjatë kohës luftës në Kosovë, respektivisht me datën 07 dhe 08 maj 1999, gjatë një aksioni të forcave ushtarake, paramilitare dhe forcave policore serbe, kundër popullatës civile shqiptare në fshatrat Stradran, Zallc, Gurrakoc dhe fshatrat tjera përreth të Komunës së Istogut, i detyruan popullatën civile që t’i lëshojnë shtëpitë tyre dhe i urdhëruan që të shkojnë në Shqipëri, ashtu që i akuzuari E.B, si polic në Stacionin Policor në Gurrakoc – Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin vepruar në këto fshatra, në kundërshtim me Ligjin Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale) dhe me Rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë, ashtu që mori pjesë në dëbimin, vrasjen dhe ushtrimin e dhunës ndaj popullatës civile shqiptare.

Më 08 maj 1999, në fshatin Staradran, Komuna e Istogut, derisa kolona e popullsisë civile e nacionalitetit shqiptar ishte duke shkuar në drejtim të Shqipërisë, u ndal nga forcat ushtarake dhe policore serbe ku bënte pjesë edhe i akuzuari E.B, ashtu që nën kërcënimin e armëve i ndan meshkujt nga pjesa tjetër civile, ku ishin gratë, pleqtë dhe fëmijët, ashtu që fillimisht iu marrin paratë dhe gjësendet e tjera me vlerë, e më pastaj të gjithë i  vendosin në oborrin e shtëpisë së D.Z duke i renditur në radhë një nga një, me duar të ngritura lart dhe me fytyrë nga muri i oborrit. Pastaj i sulmojnë fizikisht, duke i rrahuar me mjete të ndryshme duke shkaktuar dhunë dhe duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, duke ju thënë “Ku e keni NATO-n”, “Ku e keni UÇK-në”, dhe më pas së bashku edhe me forcat paramilitare i dërguan një nga një në shtëpinë e Z.S dhe i pushkatojnë të paktën 16 (gjashtëmbëdhjetë) civilë të nacionalitetit shqiptar, në mesin e tyre edhe të mbijetuarin këtu të dëmtuarin N.E, të cilin e kishin goditur me një predhë të një mitralozi në pjesën e fytyrës dhe kishin gjuajtur si të vdekur në grumbullin e kufomave tjera, mirëpo i njëjti iu kishte mbijetuar plagëve, me ç’rast kishte mbetur i plagosur rëndë, kurse të vrarë kishin mbetur D.G, H.E, N.E, M.E, M.E, Sh.E, N.E, A.E, I.A, M.D, B.D, R.Sh, G.I, B.M, J.A dhe I.L.

Po ashtu me 7 maj 1999 në fshatin Staradran, ka marrë pjesë në arrestimin dhe keqtrajtimin e 84 (tetëdhjetekatër) civilëve të nacionalitetit shqiptar, ashtu që  fillimisht të dëmtuarit (meshkujt) i ndajnë nga kolona tjetër e civilëve, u marrin të gjitha paratë dhe sendet e tjera me vlerë, e  pastaj që të gjithë i dërgojnë në Gurrakoc në lokalin e Sh.S ku i kishin maltretuar dhe torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, ndërsa me 8 maj 1999 i kishin transferuar në stacionin policor në Gurrakoc, ku kolonës i printe i akuzuari  E.B dhe i njëjti e kishte goditur me pjesën e pasme të automatikut të dëmtuarin A.T në anën e djathtë nën brinjë dhe pas vendosjes në stacionin policor në Gurrakoc kanë filluar duke i torturuar në mënyrë çnjerëzore duke u shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img