As paratë e majme nuk mjaftuan për Superligën e Arabisë që të joshin dy yje të Barcelonës të transferohen në Lindjen e Mesme gjatë afatit kalimtar të janarit.
Pagat e larta dhe lirimi nga taksat ka bërë që një numër i madh i yjeve nga Evropa të pranojë kalimin në Arabinë Saudite, megjithëse ka edhe prej atyre që nuk kanë preferuar ta bëjnë këtë.
Aston Villa e humbi Jhon Duran i cili iu bashkua Cristiano Ronaldos tek Al Nassr, duke hequr dorë kështu nga futbolli në Ligën e Kampionëve.
Raportimet nga orët e fundit të afatit kalimtar kishin bërë me dije se një ofertë ishte dërguar në zyrat e Barcelonës për Ansu Fati, por lojtari e refuzoi atë.
Kishte thashetheme se Al Shabab ka bërë një ofertë prej 10 milionë eurosh plus pesë milionë të tjera në shtesa, por Fati preferoi që të mbetej pjesë e blaugranasve.
Sidoqoftë, Fati nuk ishte lojtari i vetëm i Barcelonës që mori ofertë nga Arabia Saudite, pasi një raportim nga Diario Sport bëri me dije se një telefonatë mori edhe Ferran Torres.
Torres shënoi het-trik në mesjavë në fitoren ndaj Valencias në Kupën e Mbretit duke forcuar edhe më shumë pozitën e tij në planet e Hansi Flick.
Një ofertë e re mund të arrijë në fund të sezonit, por 24-vjeçari nuk duket i interesuar ndërsa Fati ka ende gjasa të mëdha të largohet.