Koalicioni qeverisës PDK-LDK ende nuk po arrin t’i sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, sado që kjo marrëveshje ka gati dy vjet prej se është nënshkruar (26 gusht 2015).
Tek një vit pas këtij nënshkrimi, me gjithë kritikat e opozitës, Projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi u miratua nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, një muaj pas kësaj, Qeveria e procedoi në Kuvend këtë marrëveshje, më 1 shtator të vitit të shkuar.
Porse tek pas fillimit të seancës i pari i ekzekutivit, Isa Mustafa, vendosi ta tërheqë nga rendi i ditës, pasi që Lista Serbe nuk ishte në Kuvend, ndërkohë jashtë protestohej nën organizimin e opozitës, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Por, pavarësisht se pas këtij “dështimi” u tha disa herë se Demarkacioni do të riprocedohet në Kuvend, një gjë e tillë nuk po ndodh as sot.
Kjo pasi që koalicioni qeverisës nuk po arrin t’i sigurojë numrat e mjaftueshëm për ta ratifikuar atë.
Nga ana tjetër, edhe vetë zyrtarë të Qeverisë thonë se Demarkacioni do të shkojë në Kuvend tek atëherë kur ka sinjal për siguri të votave.