0.7 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Dy stadiumet që janë në proces të rinovimit, pritet të jenë të gatshëm në vitin e ardhshëm sipas standardeve të FIFA-s (Video)

Përfaqësuesja e futbollit të Kosovës, më 6 tetor, do ta zhvillojë ndeshjen e parë si nikoqire me Kroacinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të futbollit Rusia 2018.
Por, në mungesë të një stadiumi në Kosovë, që i plotëson kriteret e Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) për takim ndërkombëtar, takimi do të zhvillohet në Shkodër të Shqipërisë.
Gjendja e rëndë ekonomike, e cila e ka përcjellë Kosovën që nga paslufta, e ka lënë sportin në fundin e listës së prioriteteve të qeverive të deritashme dhe investimet në infrastrukturë, e sidomos në atë të futbollit, kanë qenë simbolike, vlerësojnë përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ekspertët e këtij sporti.
Megjithatë, qeveritë në dy mandatet e fundit në vend, kanë shprehur vullnetin për të investuar në infrastrukturë, pas sinjaleve për mundësinë e pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA) dhe Federatën Botërore të Futbollit (FIFA), gjë që edhe ka ndodhur në maj të këtij viti.
Agim Ademi, nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tashmë janë në proces të renovimit dy stadiume; ai i qytetit të Prishtinës dhe stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë. Por, ky proces, sipas tij, është përcjellë me mjaft vonesa, si dhe me rekomandimet e FIFA-s.

“Duke iu përmbajtur 39 pikave (rekomandime nga FIFA), është dashur të hapim edhe tender tjetër, që të arrijmë në nivelin e ndeshjeve ndërkombëtare në stadiumin e Mitrovicës, ku tashmë është filluar dhe është shpallur tenderi. Ndërsa, në stadiumin e qytetit në Prishtinë, është bërë një tender, prej fillimit, por këtu ngecjet kanë ndodhur për shkak të projektit”.
“Projektin nuk e kanë zgjedhur ashtu siç duhet. Kur e kemi dërguar projektin në UEFA, ata kanë sugjeruar dhe kanë treguar se çka duhet dhe cilat pjesë duhet t’i shtojmë apo t’i heqim. Tashmë po shkohet me hapa shuam të shpejtë”, thotë Ademi.
Por, trajneri i futbollit, Bilbil Sokoli, profesor në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se autoritetet në Kosovë është dashur të mendojnë gjatë këtyre 17 vjetëve pas luftës, që të investojnë për ndërtimin e një stadiumi ose aftësimin e atyre ekzistues për ndeshje ndërkombëtare.
Sipas tij, në vitet 70-të, në stadiumin e Prishtinës janë zhvilluar ndeshje ndërkombëtare, por në tri dekadat e fundit, ky stadium është degraduar dhe nuk plotëson standardet ndërkombëtare.
“Këto standarde të nevojshme për të zhvilluar ndeshje nuk plotësohen në këtë moment. Pse nuk është bërë kjo është për mungesë të një strategjie afatgjate që të përgatisim infrastrukturë për prezantimet ndërkombëtare, sepse në futboll ne kemi pasur dhe kemi mundësi që të krijojmë rivalitet me përfaqësuese sa më të fuqishme”.
“Prandaj, infrastruktura është dashur të jetë e gatshme apo së paku, të përgatitet që me intervenime të lehta, siç është ndriçimi apo vëzhgimi i stadiumit përmes kamerave, sepse këto janë standarde të reja, të cilat i kërkon UEFA gjatë zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare”, thotë Sokoli.
Por, Ademi, thotë se Federata e Futbollit të Kosovës tashmë parashikon që të paktën dy stadiume në Kosovë, të jenë i gatshme në qershor të vitit të ardhshëm, në mënyrë që përfaqësuesja e Kosovës t’i zhvillojë takimet e mbetura në kuadër të kualifikimeve për botërorin Rusi 2018, si nikoqire në Kosovë.
“Dy stadiumet do të bëhen, sigurisht, stadiumi i Prishtinës dhe stadiumi ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, të cilët do të jenë të gatshëm të presim ndeshje ndërkombëtare vitin e ardhshëm. Shpresoj që pas qershorit (2017) ndeshjet e shtatorit të vitit të ardhshëm do t’i luajmë këtu”, thotë Ademi.
Deri në renovimin dhe aftësimin apo edhe ndërtimin e një stadiumi në Kosovë, sipas kritereve që kërkohen nga UEFA dhe FIFA, përfaqësuesja e futbollit të Kosovës do t’i zhvillojë ndeshjet ndërkombëtare si nikoqire, në stadiumet e vendeve tjera, në pajtim me federatat evropiane dhe ndërkombëtare të futbollit. /REL/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img