Liridon Latifi dhe Albi Alla do të jenë dy risitë e listës së De Biasit për dy ndeshjet e radhës me Italinë në eliminatoren e Botërorit “Rusi 2018”, dhe me Bosnjë Hercegovinën në miqësor, raporton Supersport.
Edhe pse grumbullimi i futbollistit të Skënderbeut dhe i mbrojtësit të Kukësit në Kombëtare ende nuk është zyrtarizuar nga institucioni i futbollit, burime pranë klubeve respektive sigurojnë se ka mbërritur ftesa për të dy lojtarët.
Në fakt ftesa e Latifit është e logjikshme për faktin se 23-vjecari ka qenë ndër më të spikaturit te Shpresat. Disi surprizë vendimi për të ftuar Allën, i cili në këtë sezon ka rezultuar një nga pikat më të forta për skuadrën e Ernest Gjokës.
Mungesat e Mavrajt dhe Gjimshitit në qendër të mbrojtjes për arsye dëmtimi dhe pezullimi e kanë shtyrë trajnerin kuqezi të hedhë sytë nga Kategoria Superiore.
Alla ka luajtur titullar në të gjitha takimet kur ka qenë në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka në këtë sezon, ndërsa në katër sfida ka munguar për arsye pezullimi dhe dëmtimit.
Një katapultim i merituar për këtë futbollist, i njohur fillimisht për opinionin sportiv në vend në aventurën që kaloi te Bylisi gjatë pjesës së dytë te sezonit, pas transferimit nga Ergotelis në Greqi. Edhe pse ekipi ballshiot nuk mundi të mbijetonte, Alla tregoi nivel të lartë me performancat e tij, duke i bindur drejtuesit e Kukësit që t’i ofronin kontratë.