Site icon PrishtinaPress

Dy ish-zyrtarët e MI-së dënohen me nga 3 vite burgim për korrupsion, obligohen t’i kthejnë afro 30 mijë euro

Dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri janë dënuar me nga 3 vite burgim efektiv për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Të njëjtëve iu shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vitesh, pas mbajtjes së dënimit me burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi u shpall të premten nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Fatime Dërmaku.

Sipas aktgjykimit të shpallur, Bekteshi dhe Tahiri obligohen gjithashtu që Ministrisë së Infrastrukturës t’ia paguajnë 29,828 euro kompensim për dëmin e shkaktuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Xhelil Bekteshi në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare. Njëjtë thuhet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Më 29 janar 2018, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit, me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

I pandehuri Tahiri akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

Ndërsa, i pandehuri Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, ngarkohej me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, edhe pse i akuzuari Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version