Site icon PrishtinaPress

DW: Qeveria gjermane me lehtësime për investimet në rajon, pse Serbia shihet si më tërheqëse për ta?

Qeveria gjermane ka vendosur masa që i bëjnë më të thjeshta dhe më të lira investimet e kompanive gjermane në 34 vende. A vlen kjo edhe për Serbinë?

Garancitë e investimeve janë thelbësore për politikën gjermane të tregtisë së jashtme. Nëse një kompani gjermane investon në një vend në zhvillim ose në një të ashtuquajtur vend me zhvillim të shpejtë, ajo mund të aplikojë për sigurimin e investimeve nga qeveria federale.

Në rast se një kompani duhet të anulojë një investim për shkak të shpronësimit, luftës ose shkeljeve të ligjit nga qeveria e vendit të huaj në fjalë, qeveria gjermane do të kompensojë pjesën më të madhe të humbjes. Për shembull: në gjysmën e parë të 2023, qeveria gjermane garantoi rreth 30 miliardë euro investime me sigurimin e saj.

Por ky sigurim është i lidhur me kosto të caktuara, shpesh miliona, për vetë kompaninë që dëshiron të investojë – si në formën e taksave, burokracisë, ashtu edhe në rast se në fakt ndodh një rast dëmtimi.

Strategjia e re

Ndaj lajmi i rëndësishëm është se qeveria gjermane vendosi në fillim të javës të përmirësojë kushtet e garancive të investimeve për ekonominë gjermane në vende të përzgjedhura dhe të përgjysmojë kostot e garancisë. Ka 34 shtete në të gjitha kontinentet për të cilat përmirësohen kushtet. Kur bëhet fjalë për Evropën, këtu renditen Turqia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Vendimi është pjesë e strategjisë së diversifikimit të qeverisë gjermane, e cila synon të reduktojë varësinë e madhe nga disa tregje dhe nyje kritike në zinxhirët e furnizimit. Kushtet e përmirësuara synojnë të inkurajojnë kompanitë të bëjnë investime të reja në tregje ku aktualisht janë pak aktive. “Me stimulimet e reja pozitive, ne po mbështesim më fuqishëm ekonominë gjermane në diversifikimin e rëndësishëm për një qëndrueshmëri më të madhe ndaj krizave,” tha sekretarja e Shtetit për Ekonominë Franziska Brantner për gazetën Handelsblat.

“Ne zgjodhëm vende që janë partnerë të besueshëm të tregtisë së jashtme dhe të qëndrueshme politikisht”, tha Brantner për gazetën gjermane.

Bashkëpunimi i madh me Serbinë

Se çfarë do të thotë kjo për bashkëpunimion me Serbinë, e pyetëm Aleksandar Markus, anëtar ekzekutiv i Bordit të Drejtorëve të Odës Ekonomike Gjermano-Serbe (AHK) në Beograd.

“Marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Serbisë janë tashmë në një nivel të paprecedentë. Me rreth 80.000 vende pune të krijuara, grupi i kompanive me kapital gjerman është ndoshta një nga investitorët më të mëdhenj ose më të mëdhenj të huaj në Serbi për nga numri i vendeve të punës. Tregtia e jashtme midis Gjermanisë dhe Serbisë është rritur me më shumë se 25 për qind në dy vitet e fundit, që në vetvete është e jashtëzakonshme”, tha Markus për DW dhe shtoi: “Çdo thjeshtësim dhe kushte më të mira për garantimin e investimeve është një shenjë e mirë. Në fund, nuk është vetëm shuma që kompania duhet të përballojë në rast dëmtimi, por edhe sa çmimi i garancisë së investimit rrit kostot totale të projektit dhe sa i gjatë dhe burokratik është aplikimi për garanci të tilla. Këto janë pika kyçe nga këndvështrimi i kompanive që duan të investojnë në një vend”.

Faktorët e rëndësishëm ekonomik

A ka kompani që i kanë pritur këto kushte të reja, më të favorshme, dhe tani do të investojnë në Serbi?

“Të gjithë faktorët luajnë një rol kur zgjedh një vend për investim. Megjithatë, si rregull, faktorët ekonomikë luajnë një rol më të madh. Qeveria e Serbisë ofron kushte shumë të volitshme për investitorët, qofshin vendas apo të huaj. Këto kushte me siguri luajnë një rol të madh në raste individuale për shkak të një procesi shumë të lehtë të aplikimit. Sipas raportit vjetor të qeverisë gjermane për garancitë e investimeve, Serbia me katër projekte në vitin 2022, ishte ndër pesë vendet e para për të cilat kërkoheshin garanci të tilla. Kombinimi i kushteve tashmë të përmirësuara nga pala gjermane, me mbështetjen e ofruar nga pala serbe, do të mundësojë që më shumë kompani gjermane ta konsiderojnë Serbinë si një vend tërheqës për investime”.

A ishin pengesë kostot e reduktuara të investimeve për disa kompani që donin të investonin në Serbi?

“Bëhet fjalë për sigurimin e rrezikut. Marrëveshja për mbrojtjen e investimeve ndërmjet Gjermanisë dhe Jugosllavisë, e cila ka hyrë në fuqi më 25 tetor 1990, është ende e vlefshme për Serbinë, prandaj investimet nga Gjermania janë në thelb të mbrojtura. Sidoqoftë, garancia e qeverisë gjermane është një mbrojtje shtesë sepse do të thotë se në rast dëmtimi, kompania me siguri do të marrë para nga njëra anë – nga vendi në të cilin ka investuar ose nga qeveria gjermane. Duke qenë se Serbia është në nivelin e katërt në klasifikimin e rrezikut të vendit, vlen edhe një ulje prej dhjetë për qind në kostot vjetore”.

Aleksandar Markus, nga Dhoma Gjermano-Serbe e Tregtisë në Beograd, tha gjithashtu për DW: “Në përgjithësi, ka më shumë kuptim që disa kompani të investojnë në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, afër BE-së, sesa të shkojnë diku larg në botë. Sidomos në rastet kur tregjet më të rëndësishme për këto kompani janë gjithsesi brenda BE-së”.

Është po ashtu interesante se edhe projektet gjermane që kontribuojnë në qëllimet klimatike të qeverisë gjermane janë të privilegjuara. Kjo do të thotë, për shembull, se investitorët në 34 vendet tani të privilegjuara, pra edhe në Serbi, mund të kenë përfitime shtesë – nëse investojnë në ekonominë e gjelbër, domethënë në të ashtuquajturat teknologji të gjelbra./DW/

Exit mobile version