Site icon PrishtinaPress

Durmishi: Rruga Prishtinë-Podujevë vitin e ardhshëm do të jetë e përfunduar

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se rruga Prishtinë-Podujevë vitin e ardhshëm do të jetë e përfunduar.

Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shtuar se tani edhe vendimi i OSHP-së është në anën e ministrisë, raporton Klan Kosova.

“Në kohën kur i nënshkruam kontratat dhe filluam punimet u bë shumë zhurmë gjithandej nëpër media. Bëhej fjalë për një ankesë në OSHP, nga një kompani e cila nuk kishte të drejtë ankese, sepse nuk ishte lider i konsorciumit dhe nuk ishte i autorizuar që të përfaqësonte konsorciumin. Ne në atë kohë e sqaruam këtë çështje dhe me të drejtë i kishim nënshkruar kontratat. Sulmoheshim vazhdimisht me muaj të tërë sepse dikujt i pengonte suksesi ynë në ndërtimin e kësaj rruge. Atje punimet po zhvilloheshin përtej dinamikës së planifikuar”, ka shkruar ai.

“Dhe tani e kemi edhe vendimin e OSHP-së, që është në favorin tonë. Kaluan 22 ditë prej kur është marrë vendimi dhe asnjë medie nuk e ka publikuar deri më sot. A thua pse? Paramendoni se çfarë do të ndodhte sikur të mos i nënshkruanim në atë kohë kontratat. Kontratat do të mund t’i nënshkruanim vetëm tani në dhjetor dhe punimet nuk do të mund të fillonin deri në vitin e ardhshëm”, ka shtuar ai.

Sipas tij, dëmi do të ishte shumë i madh sepse ende nuk do të kishin filluar me punime si dhe buxheti për vitin 2023 nuk do të shpenzohej.

“Ne po ecim përpara e nuk po ndalemi e rruga Prishtinë – Podujevë vitin e ardhshëm do të jetë e përfunduar”, ka shkruar në fund Durmishi.

Exit mobile version