-1 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Durmishi për Express: Unë dhe Liburni e kemi veç një problem, kryeministri s’ka arsye të më shkarkojë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësi i tij, Hysen Durmishi raportohet se janë përplasur. Ky i fundit thotë se i vetmi problem mes tyre është që s’janë në një objekt. Sipas tij, ministria ka shumë probleme, por thotë se s’ka asnjë problem mes tij dhe ministrit.

Dy aktivistë të thekur të Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu e Hysen Durmishi qëndrojnë në objekte të ndryshme, ndonëse punojnë bashkë në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Njëri ministër, tjetri zëvendësministër. Për shkak se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Infrastrukturës nuk janë fuzionuar ende në të njëjtin objekt, puna zhvillohet në dy vende.

Durmishi i tha Gazetës Express të martën se s’ka asnjë problem me ministrin Aliu dhe se takohen çdo ditë. Ai tha se mes tyre nuk ka as mungesë bashkëpunimi.

“Raportet e mia me ministrin janë tepër të mira, ashtu qysh kanë qenë gjithmonë, prej kur e njoh unë ministrin. Ne njihemi… e kemi një histori shumë të gjatë bashkë. Kemi qenë të burgosur politikë që të dy, jemi që të dy themelues të Lëvizjes Vetëvendosje, kemi qenë bashkë në komunë të Prishtinës, jemi bashkë edhe tash në Qeveri. Asnjë problem nuk e kemi. Për çdo ditë takohemi. Kaq…. Të vetmin problem që e kemi është që nuk jemi me një objekt, sepse unë jam te ish Ministria e Infrastrukturës te sheshi, ndërkohë që ministri është në objektin tjetër. Përndryshe, për asnjë moment nuk ka pasur ndonjë mungesë bashkëpunimi apo diçka të tillë”, tha ai.

Disa aktivistë të LVV-së nuk qëndruan indiferentë pas raportimeve se kjo ministri ia ka dhënë një tender kompanisë “Bageri”, pronarin e së cilës Durmishi e pranon se e ka shok. Disa prej tyre kërkuan shkarkimin e tij, por ai thotë se s’ka marrë asnjë vërejtje nga ministri dhe kryeministri.

“Nuk po kam kohë me lexu shumë komente në rrjetet sociale, mirëpo duhet ta kuptoni një gjë, që Vetëvendosja i ka 51%, që nënkupton gjysmën e popullsisë së Kosovës dhe tash natyrisht që për shkak të mungesës së informacioneve të duhura, mund të ketë pasur reagim. Mirëpo Vetëvendosja i ka strukturat e veta, Qeveria i ka strukturat e veta. Unë jam duke punuar me përkushtim të madh që t’i kryej detyrat të cilat i kam si zëvendësministër”, tha ai.

“Nuk e kam asnjë vërejtje, as prej ministrit, as prej kryeministrit. Krejt çfarë mund të them është se ne po punojmë me përkushtim shumë të madh në një ministri e cila ka jashtëzakonisht shumë probleme dhe vështirësi”, tha Durmishi.

Zëvendëskryeministri tha se kryeministri Albin Kurti mund ta shkarkojë, por se nuk ka arsye që ta bëjë këtë.

“Mua mund të më shkarkojë kryeministri. Nuk ka asnjë arsye të vetme që të më shkarkojë. Nuk e di pse duhet të më shkarkojë mua. S’po e kuptoj”, tha ai.

Durmishi e pranon se pronarin e kompanisë “Bageri” që ka marrë shumë tenderë në ministri e njeh. As këtu, sipas tij, nuk ka asnjë problem.

“Kontrata me kompaninë ‘Bageri’ është e vitit 2021. Çfarë problemi mund të ketë kjo që një kompani, pronarin e të cilës unë e njoh, e ka fitu një tender vitin e kaluar dhe ka fituar dhjetëra tenderë prej ministrisë? Kompania ‘Bageri’ veç çka është e dobësuar- kushtimisht të them – prej kohës kur unë jam zëvendësministër”, tha ai.

Me Kurtin, tha se së fundmi u takua para vizitës së kryeministrit në SHBA.

“Pasi që është kthyer prej Amerikës nuk kam pasur mundësi ta takoj për shkak se ka pasur prapë vizitë jashtë vendit. Ka qenë për një periudhë shumë të shkurtër këtu”, tha Durmishi.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img