1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Dumoshi thotë se asnjëherë s’ka qenë në dijeni se familjarët e zyrtareve të Komunës së Prishtinës kishin përfituar subvencione

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në cilësinë e dëshmitares deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi ka thënë se nuk kishte qenë në dijeni që familjarët e zyrtares Valbona Gashi-Uka dhe tani të akuzuarës Zoja Krasniqi të kishin përfituar për subvencione në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport.

Një deklarim të tillë, dëshmitarja Dumoshi e ka bërë në rastin në rastin ku për mashtrim me subvencione akuzohen Zoja Krasniqi, Albulena Rama-Gashi, Armend Gashi, Valon Bllacaku, Arjeta Koraqi dhe Dafina Qela, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, dëshmitarja Dumoshi tha se në periudhën kohore 2011-2013 kishte qenë Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës.

Dëshmitarja Dumoshi tha se kur ishte hapur aplikimin për subvencione (i cili kishte qenë publik), kishin aplikuar të gjithë qytetarët që janë të Komunës së Prishtinës, në veçanti njerëzit e kulturës, rinisë dhe sportit.

Ajo ka sqaruar se nga zyrtarët administrativë në zyrën pritëse të Komunës së Prishtinës ishin pranuar dokumentacionet për subvencione, pastaj ishin përcjellë në sektorin për Kulturë, Rini dhe Sport, ku ishte kontrolluar nëse dokumentacioni kishte qenë në rregull.

Tutje, dëshmitarja ka thënë se ishte dashur të jetë projekti në të cilin aplikojnë, numri i xhirollogarisë, sa kushton ai projekt dhe të gjithë ata që nuk i kishin plotësuar kushtet ishin diskualifikuar, ndërsa ata që e kishin pasur dokumentacionin në rregull kishin hyrë në prokurim, por gjë e tillë nuk do të thotë që kishin përfituar subvencione.

Sipas dëshmitares Dumoshi, xhirollogaria për bartjen  e mjeteve financiare duhet të ishte e përfituesit të subvencionit.

“Pastaj komisionet të cilat janë formuar për ato aplikacione i kishin vlerësuar dhe analizuar projektet numrin e pjesëmarrësve, impaktin, ku zakonisht ato aplikacione të cilat i kishin plotësuar kushtet ishin nënshkruar nga kryetari i komunës”, tha dëshmitarja në fjalë.

E njëjta tha se nuk kishte qenë anëtare në komision ku ishte vendosur për dhënien e subvencioneve

Tutje e njëjta ka thënë se në drejtorinë e Sportit dhe Rinisë e kishin pasur Valbona Gashi-Uka, ndërkaq e akuzuara Zoja Krasniqi ishte marrë më shumë me rininë.

Dëshmitarja Dumoshi ka thënë se nuk e di se nga pozita e akuzuara Zoja Krasniqi të ketë pasur mundësi  që t’i mundësojë dikujt si e vetme dhënien e subvencionit.

Ajo ka thënë se për çdo projekt që ishte subvencionuar nga Komuna e Prishtinës, kishin qenë të angazhuar zyrtarë për ta mbikëqyrur realizimin e këtyre projekteve, si dhe përfituesit e projektit e kishin kthyer raportin narrativ me fotografi dhe të gjitha përshkrimet.

E njëjta ka theksuar se nuk ka përgjigje lidhur për atë nëse ishte apo sa ishte dëmtuar Komuna e Prishtinës, për shkak se nuk kishte njohuri dhe nuk i kujtohej nëse një projekt i subvencionuar nuk ishte realizuar.

Dumoshi ka thënë se lidhur me rastin që është duke dëshmuar e kishte kuptuar më vonë kur e kishin thirrur organet e rendit.

E njëjta po ashtu ka thënë se nuk i kujtohej nëse e akuzuar Zoja Krasniqi kishte qenë në komision të vlerësimit për projektet që janë pjesë aktakuzës.

Në fund, dëshmitarja tha se nuk kishte pranuar ndonjë kërkesë për konflikt interesi nga e akuzuara Krasniqi për ndonjërin nga rastet.

Për shkak se ishin afër fundit të orarit të punës, seanca  e sotme u ndërpre ndërsa  e radhës u caktua për datat 26 tetor dhe 3 nëntor 2023.

Paraprakisht seanca e së premtes ka vazhduar me dëgjimin e të dëmtuarës, në cilësi të dëshmitares Shpresa Krasniqi, e cila kishte filluar dhënien e dëshmisë më 31 maj 2021, mirëpo seanca ishte ndërprerë për shkak se kishte përfunduar orari zyrtar i punës.

Ndërkaq, në këtë seancë e njëjta. ndër të tjera ka thënë se të akuzuarës Albulena Krasniqi i kishte kërkuar të shkonte në polici, si dhe në prokurori për ti treguar si kishte vepruar me të.

Mirëpo sipas saj, e akuzuara Krasniqi i kishte thënë se po të ishte vetëm për të do të pranonte,  por kishin qenë në pyetje edhe Arjeta dhe Dafina, megjithatë e njëjta tha se nuk di asgjë më shumë.

Kujtojmë se në seancën e kaluar dy avokatëve i’u ishte shqiptuar gjobë në shumën prej 300 euro, për shkak se munguan në atë seancë, përkatësisht për mbrojtësin e të akuzuarës Albulena Rama-Gashi, avokatin Mentor Neziri dhe mbrojtësin e të akuzuarës Arjeta Koraqi.

Ndryshe, edhe seanca e paraparë për 5 qershor 2023 kishte dështuar, po kjo në mungesë të prokurores Merita Lumezi.

Ndryshe, në seancën e 31 majit 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarës Zoja Krasniqi, avokatit Jeton Maqedonci, që të pushohet procedura penale për veprën penale “Konflikt interesi”, pasi që ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Ndërkaq, lidhur me zvarritjen e këtij procesi gjyqësor, gjyqtarja Dermaku kishte njoftuar se kjo lëndë fillimisht ka qenë duke u gjykuar nga gjyqtarja Naime Jashanica-Krasniqi, pastaj është bartur tek e njëjta.

Gjithashtu, gjyqtarja Dermaku kishte shtuar se për shkak të mungesë së disa të akuzuarve nëpër seanca, si dhe për shkak të vendosjes lidhur me kundërshtimin e provave dhe të aktakuzës, ka ardhur deri te kjo vonës e gjykimit të këtij rasti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zoja Krasniqit, Albulena Rama-Gashit, Armend Gashit, Valon Bllacakut, Arjeta Koraqit dhe Dafina Qelës, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprat penale si në vazhdim:

Zoja Krasniqi akuzohet se në periudhën kohore nga viti 2011 deri në vitin 2014, në cilësinë e personit zyrtar në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, kishte vepruar në kundërshtim me ligjin dhe detyrat e saj zyrtare.

Sipas akuzës, Zoja Krasniqi kishte shqyrtuar dosjet për projekte të ndryshme për kandidatët që kishin aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, e në këto dosje të projektit kishin marrë pjesë kunata e saj Albulena Rama dhe vëllai i saj, Arben Gashi dhe si rezultat në këto projekte që ata kishin qenë të angazhuar, kishte pasur interesa të drejtpërdrejta.

Me këtë, sipas Prokurorisë thuhet se ka kryer veprën penale “Konflikt i interesit” nga neni 424 i KPK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, Zoja Krasniqi me qëllim të përfitimit material, kishte përpiluar dosje fiktive dhe kishte ndihmuar familjarët e saj Armend Gashin, Albulena Ramën dhe Valon Bllacakun, duke iu mundësuar që të fitonin shuma të parave 24 mijë e 900 euro për projekte të ndryshme nga subvencionet që Komuna e Prishtinës i kishte ndarë.

E akuzuara Krasniqi, thuhet se si zyrtare në kuadër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, kishte qenë anëtare e komisionit për vlerësimin e tenderit tradicional në shah dhe gjatë shpalljes së tenderëve kishte përfituar materialisht vëllai i saj Armend Gashi, shumën prej 4 mijë euro.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i KPK-së.

Albulena Rama-Gashi akuzohet se në vazhdimësi kishte aplikuar për subvencione në Komunën e Prishtinës, me projekte fiktive duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj Zoja Krasniqi, ku sipas aktakuzës, kishte arritur të fitonte shumën prej 10 mijë e 150 euro në emër të subvencioneve, të cilat para dhe fonde ishin përdorur për qëllime të tjera.

Me këtë rast, Rama-Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me subvencione” nga neni 336 i KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarat Albulena Rama-Gashi dhe Dafina Qela akuzohen se kanë aplikuar për subvencione në projektin e Albulena Ramës me emrin “Suksesi varet nga projektet” dhe në “Rinia Jonë”, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të saj, të akuzuarës Zoja Krasniqi dhe kishin arritur të përfitonin 1 mijë e 115 euro nga Komuna e Prishtinës.

Me tej, në aktakuzë thuhet se të akuzuarat Albulena Rama-Gashi dhe Arjeta Koraqi thuhet se në bashkëveprim kishin aplikuar në Komunën e Prishtinës për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e të rinjve në procesin e integrimit evropian” dhe kishin arritur të fitonin shumën prej 800 euro në emër të këtij subvencioni.

I akuzuari Armend Gashi, sipas aktakuzës, kishte aplikuar në disa projekte po ashtu në Komunën e Prishtinës, nga viti 2011 e deri në vitin 2014 dhe duke shfrytëzuar pozitën e motrës së tij, Zoja Krasniqi, kishte arritur të përfitonte 10 mijë e 500 euro.

Kurse, i akuzuari Valon Bllacaku ngarkohet se në vitet 2013-2014 kishte aplikuar për dy subvencione në projektin “Ta ndihmojmë rininë në karrierë” dhe duke shfrytëzuar pozitën e Zoja Krasniqit, motra e dhëndrit të tij, kishte përfituar edhe 2 mijë e 300 euro.

Bllacaku, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim në subvencione”, vepër kjo e paraparë në nenin 336 të KPRK-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img