Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë për RTV21 se është “e padrejtë dhe jo proporcionale” që rasti me asamblistin e kësaj partie në Komunën e Prishtinës, Besnik Mujeci, i cili u arrestua në Shqipëri për trafikim droge, t’i mveshet të gjithë partisë më të madhe në vend.
“Këto aferat e supozuara të opozitës që tentojnë t’i mveshin partisë në pushtet, janë jo të drejta dhe jo proporcionale, pra shkak se nëse në mesin e mbi 200 asamblistëve është një asamblist i cili është zënë në flagrancë, pra duke kontrabanduar drogë, kjo është e padrejtë pastaj t’i mveshet një strukture të gjerë, e cila numëron mbi 60 mijë anëtarë”, tha Dugolli për RTV21.
“Kjo situatë gjithsesi se nuk është e mirëpritur, por është e dënueshme nga ana jonë”, shtoi ai.
Tutje deputeti tha se LVV është “një organizatë serioze” dhe se aty “nuk ka vend për akte të tilla”.
“Besoj që Komisioni Disiplinor, në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, i ka pasur të gjitha në konsideratë, pra i ka shqyrtuar edhe argumentet apo informatat që i ka pasur në lidhje me këtë rast dhe e ka marrë një vendim, për të cilin ata e kanë arsyetuar në atë formë që është publikuar. Pra nuk çka të shtoj më shumë, përveç se të them që Lëvizja Vetëvendosje është një organizatë serioze, e cila i merr vendimet në bazë të situatave të krijuara dhe nuk ka vend në Lëvizjen Vetëvendosje për akte të tilla, të cilat janë edhe të dënueshme edhe të papranueshme”, deklaroi Dugolli.