Mosfinalizimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi (tash e më shumë se dy vjet prejse është nënshkruar) pritet t’i vërë përballë kryeministrat e të dy vendeve, atë të Kosovës Ramush Haradinajn dhe atë të Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Gjatë ditës së sotme Markoviq do të qëndrojë në Kosovë, ku pos të tjerash me homologun e tij kosovar do të diskutojë edhe rreth Demarkacionit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Megjithatë, nuk dihet nëse ky takim do ta zgjidhë “nyjën” e kësaj marrëveshjeje, ani pse Qeveria e Kosovës ka deklaruar tashmë se është e interesuar që kjo çështje të marrë epilog.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj tashmë ka paralajmëruar një zgjidhje “kreative”, të kënaqshme, për të dyja palët sa i përket Demarkacionit.
Ndërkohë, një ditë para vizitës së Markoviq (dje) Kryesia e Kuvendit vendosi që të mos e procedojë për votim këtë marrëveshje, ndonëse ishte në rend dite.
Kryetari i Kuvendit tha se kjo tërheqje erdhi me qëllim që të gjendet një konsensus nacional.
Mirëpo, AAK-ja e Nisma po vazhdojnë të shprehen kundër versionit aktual, duke u zotuar se nuk do ta votojnë atë.
Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate janë shprehur optimistë se pas vizitës së kryeministrit malazez ka hapësirë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët sa i përket Demarkacionit.