Deputetja Duda Balje ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se një gruaje i është mohuar statusi në mungesë të provave, kështu që sipas saj, e njëjta ka tentuar të vetëvritet disa herë.
Lidhur me verifikimin e njohjes së statusit, Balje i është drejtuar me një pyetje Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës.
“Kam një pyetje për Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Dua vetëm të kuptoj se si i verifikoni viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe mënyrën se si ne e ruajmë identitetin e tyre. Dilema ime është tek procesi dhe procedurat. Ja si: një grua e gjashtë në radhë në të njëjtën dhomë përdhunohet dhe keqtrajtohet nga të njëjtët përdhunues në të njëjtën kohë…dhe pesë gratë tjera janë dëshmitare për këtë grua”, tha ajo.
“Asaj i është refuzuar statusi për shkak të mungesës së provave…gruaja e refuzuar nga komisioni disa herë ka ti marrë vetës jetën, ka tentuar të vetvritet”.
“Ajo të vetmen rrugës sot për sot e ka ti drejtohet gjykatës për zgjidhjen e statusit të saj”.
“Thirrja për gjykim adresohet me emer dhe mbiemër në adresën ku jeton aty ajo humb mbrojtjën si viktimë e dhunës seksuale të identitetit të vet të mbrojtur… Nga rreth 20.000 të dhunuara kemi të regjistruara dhe me status te njohur 1643 persona. Ku është problemi”, ka shkruar Balje.