Dubai ka hequr taksën 30% të alkoolit në një përpjekje të dukshme për të nxitur turizmin. Gjithashtu do të ndalojë tarifimin për licencat personale të alkoolit – diçka që kushdo që synon të pijë duhet të mbajë me vete.
Dubai ka zbutur ligjet për disa kohë, duke lejuar shitjen e alkoolit në dritën e ditës gjatë Ramazanit dhe duke miratuar shpërndarjen në shtëpi gjatë pandemisë.
Kjo lëvizje e fundit mendohet të jetë një përpjekje për ta bërë qytetin më tërheqës për të huajt, përballë konkurrencës nga fqinjët, shkruan BBC.
Dy kompanitë që shpërndajnë alkool në Dubai, Maritime and Mercantile International (MMI) dhe African & Eastern, thanë se do të reflektonin uljen e taksave për konsumatorët.
Nuk është e qartë nëse lëvizja, e cila hyri në fuqi të dielën, do të jetë e përhershme. Financial Times e përshkroi masën si një provë njëvjeçare, duke cituar “drejtuesit e industrisë të informuar për vendimin”, përcjell KosovaPress.
Dubai ka arritur historikisht të tërheqë më shumë turistë dhe punëtorë të huaj sesa fqinjët e tij, pjesërisht për shkak të tolerancës së tij ndaj një stili jetese më liberal.
Por tani ai përballet me konkurrencë në rritje nga rivalët që zhvillojnë sektorët e tyre të mikpritjes dhe financave.
Jomyslimanët në Dubai duhet të jenë të paktën 21-vjeç për të pirë alkool dhe të kenë një licencë alkooli – një kartë plastike të lëshuar nga policia.
Ndërsa baret dhe klubet e natës rrallë kërkojnë të shohin kartat, ata që konsumojnë alkool pa të mund të përballen me gjoba ose arrestim./Prishtinapress/