Dua Lipa është bashkuar me Donatella Versace dhe kanë dizenjuar koleksionin e fundit të Versace, i cili titullohet ‘La Vacanza’ dhe do të prezantohet përmes një shfaqjeje në jug të Francës në fund të këtij muaji.
Këngëtarja, e cila prej kohësh është një mikeshë e shtëpisë, ka kthyer dorën drejt dizajnit për herë të parë, duke ndihmuar në krijimin e një koleksioni veror, të frymëzuar nga pushimet.
“Jam absolutisht e emocionuar që kam bashkë-dizenjuar koleksionin e grave ‘La Vacanza’ për Versace me Donatellën”, tha Lipa. “Ajo dhe unë kemi krijuar një lidhje kaq të fortë gjatë viteve dhe jam shumë mirënjohëse për mbështetjen që kam marrë nga ajo dhe i gjithë ekipi që nga fillimi i karrierës sime”.
Lipa e ka veshur Versace-n si në skenë ashtu edhe në tapetin e kuq prej shumë vitesh, madje ka ecur në një nga sfilatat e markës.