Skuadra e Dritës e cila nga raundi i dytë të enjten e nis kampanjën kualifikuese në Ligën e Konferencës, ka mësuar edhe kundërshtarin e radhës, në rast se i kalon islandezët e Breiðablik .
Kundërshtari i mundshëm i gjilanasve do të jetë fituesi i përballjes ndërmjet skuadrës nga Latvia, FC Auda me irlandezo-veriorët e Cliftonville, raporton Klankosova.tv.
Për dallim nga vitet e kaluara ku tre herë kampionët e Kosovës përballeshin me emra si Feyenoord, Antwrep, Legia e Varshavës apo Viktoria Plzen, kësaj radhe duket se fati ka buzëqeshur pak për Dritën.
Fillimisht “Intelektualët” do të synojnë ta mposhtin Breiðablik, me të cilët të enjten më 25 korrik ndeshen në Kópavogur, me fillim në orën 21:15, kurse një javë më vonë e zhvillojnë edhe ndeshjen e kthimit.
FC Drita suksesin më të madh në arenën ndërkombëtare e ka arritur në edicionin 2020/2021, ku u eliminua në rrethin e tretë eliminator të Europa Ligës, nga polakët e Legias së Varshavës.