Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë eurove ndaj drejtorit të VisaMetric, S.O., si dhe i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.
Në njoftimin e gjykatës thuhet se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro ( pesëmbëdhjetë mijë euro) si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta. Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.
Nëse i pandehuri S.O nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit konform, si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhen në fondin e viktimave të krimit.