0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Drejtori i suspenduar i policisë në veri, lidhjet e tij me të sanksionuarit e SHBA-së

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq, i suspenduar sot për mos zbatim të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, kishte një histori të gjatë të suspendimeve nga Policia e Kosovës.

Ai ishte suspenduar edhe më parë për mos zbatimit të urdhrave dhe lidhjeve të tij me krimin e organizuar në veri të Kosovës, përfshirë edhe me personat të sanksionuar nga SHBA, si Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

Gjuriq njihej edhe për afërsinë me partinë politike serbe pro-ruse DSS.

Komandanti i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës Veriore Nenad Gjuriq, i njohur me pseudonimin “Gjuro”, ka qenë pjesë e MUP-it serb në Zveçan, ku ka vepruar si operativ i kësaj strukture ilegale.

I njëjti ka qenë i dëbuar nga Akademia Policore e Serbisë për shkak se ka dështuar në testin psikik për disa herë me radhë.

Në fillim të vitit 1999, ai ka qenë i angazhuar si pjesë rezervë e SUP-it (Sekretariatit të Punëve të Brendshme) të atëhershëm serb në Mitrovicë dhe ka figuruar në listat e pagave deri në vitin 2001.

Gjatë vitit 2000 Gjuriq iu ka bashkuar grupit ekstremist “Rojat e Urës”. Pas emërimit të tij si Komandant i Stacionit të Policisë së Kosovës në Zveçan, ai ishte përfshirë në veprime kriminale duke pranuar ryshfet nga kontrabandistët e naftës.

I njëjti kishte qenë i përfshirë edhe në përcjellën e cisternave të Zvonko Veselinoviq, i sanksionuar nga SHBA për shkak të aktiviteteve kriminale.

Nuk është hera e parë që Gjuriq është shkarkuar nga pozitat udhëheqëse në Policinë e Kosovës, pasi që i njëjti, edhe më parë ishte shkarkuar nga pozita e komandantit për shkak të refuzimit të urdhrave nga vijat komanduese në Policinë e Kosovës. Pas suspendimit, këtij i është dhënë vendimi për fillimin e punës në MUP-in serb në Zveçan.

Pas këtij shkarkimi, Gjuriq ka përfituar një banesë nga komuna ilegale e Mitrovicës së Veriut. Gjatë kësaj kohe ai ishte anëtarë aktiv i Partisë së Re Demokratike të Serbisë (DSS) të Vojisllav Koshtunica, kryetar i së cilës për Mitrovicën Veriore ishte Marko Jakshiq, i njohur për lidhjet dhe qëndrimet e tij pro-ruse.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë për integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës, Nenad Gjuriq ishte emëruar Komandant i Stacionit Policor të Zveçanit, ndërsa përsëri ishte suspenduar në vitin 2013 për mosveprim në urdhrin për largimin e Aleksandar Vulinit nga veriu i Kosovës, kur ky i fundit po qëndronte pa leje të organeve kompetente të Republikës së Kosovës.

Sipas burimeve të KosovaPress-it në institucionet e sigurisë, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e Gjuriq me strukturat kriminale serbe dhe mos pengimin e aktiviteteve të krimit të organizuar në veri të Kosovës, para vitit 2017, Milan Radoiçiq i kishte ndërtuar Gjuriqit një vilë afër Liqenit të Ujmanit, në pjesën që është në territorin e Serbisë. Ndërsa Zvonko Veselinoviq i kishte dhuruar atij një automjet të tipit “Peugeot 406” dhe i kishte paguar pushimet verore në Budva të Mal të Zi, në vlerë rreth 6.200 puro.

Në vitin 2019, Gjuriq kishte marrë urdhër nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, që në çdo mënyrë të mundësojë dhe lehtësojnë kontrabandimin me mallra nga Serbia për në Kosovë.

Gjatë gjithë kohës derisa Nenad Gjuriq ishte në pozita udhëheqëse në Policinë e Kosovës, ai ishte i shantazhuar nga Milan Radoiçiq dhe ishte duke bashkëpunuar me shërbimin sekret serb BIA.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img