Site icon PrishtinaPress

Drejtori i Arsimit në Ferizaj: Jo të gjithë nxënësit do të furnizohen në kohë me libra

Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, ka thënë se jo të gjithë nxënësit do të kenë libra me kohë për t’ia nisur mësimit më 1 shtator.

Sipas tij, muaji shtator do të jetë muaji i furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, pasi ka komuna që nuk kanë librari dhe sipas tij, kjo paraqet sfidë në vete.

“U tha që shtëpitë botuese do ta bëjnë një plan mobiliteti për të shkuar në komuna ku nuk ka librari. Do të jetë një sfidë sepse numri i nxënësve dallon prej komunës në komunë dhe do të ketë pastaj probleme nëse ato komuna do të mund të furnizohen me tekste që kërkohen nga ta”.

“Mendoj që do të jetë një nga këto problematikat që do të shfaqen gjatë periudhës kohore në të cilën do të furnizohen, prandaj po e shprehi skepticizmin tim që muaji shtator do të jetë muaj i furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, kështu që nuk do të kenë të gjithë nxënësit në të njëjtën ditë furnizim me tekste shkollore”, tha ai në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, Llabjani tha se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka pranuar se ka pasur vonesë në çështjen e librave.

Exit mobile version