Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në Konventën Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, ka zyrtarizuar sot vizionin dhe vendimin e PDK-së për përfaqësim të barabartë gjinor, 50/50, në të gjitha nivelet e organizimit dhe vendimmarrjes.
Krasniqi u zotua se 50 % me 50 % është formula, misioni dhe qëllimi i PDK-së për të cilin tha se nuk do të ndalen asnjëherë.
“Rrugëtimi jonë si PDK, nuk është as i plotë dhe as s’mund të jetë i suksesshëm pa gra që i prijnë kësaj rruge në secilin dimension e në secilin drejtim. Prandaj, unë kam vendosur që Partia Demokratike e Kosovës të jetë shtëpi e hapur, pa dyer dhe pa mure për gratë dhe vajzat që duan angazhim dhe realizim në politikë. 50 % me 50 % është formula jonë, është misioni ynë dhe është qëllimi ynë për të cilin s’do ndalemi asnjëherë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se qysh në Konventën e ardhshme zgjedhore të PDK-së do t’i propozojë ndryshimet statutare që do ta mundësojnë zbatimin e këtij vizioni në praktikë.
Mes tjerash, ai ka konfirmuar se do ta bëjnë normë obligative që të gjitha strukturat e PDK-së, në çdo nivel të organizimit, të kenë ndarje të barabartë të pozitave udhëheqëse, 50/50, duke përfshirë pozitat e Kryetarëve, Nënkryetarëve dhe Sekretarëve.
“Në zgjedhje lokale, aty ku kandidati për Kryetare ose Kryetar është i njërës gjini, bartësi i listës për Asamble Komunale duhet të jetë i gjinisë tjetër. Do të synojmë që listat tona kandiduese të jenë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore dhe jo me kuotën prej 30 %, që tashmë është dëshmuar si e tejkaluar. Qeveria e udhëhequr nga PDK, në të ardhmen, do ta reflektojë barazinë e plotë gjinore. Kjo do të bëhet normë edhe për qeveritë lokale, ku tashmë kemi dhënë dëshmi e shembuj në disa komuna”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi është zotuar se PDK do të arrijë përfaqësimin e barabartë gjinor, 50 % me 50 % deri në vitin 2025, por që nuk do të presin deri atëherë për të realizuar këtë objektiv.
“Nuk do të presim 3 vjet për ta realizuar këtë objektiv fisnik atëherë përnjëherë, por do të fillojmë që tani me hapa që e ngrisin jo vetëm përqindjen e përfaqësimit si numër, por edhe cilësinë dhe meritokracinë. E përsëris, PDK duhet të jetë shtëpi e hapur për të gjitha gratë dhe vajzat që e duan një Kosovë më të mirë për vete, për familjet e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi”.
Ai shtoi se është tejkaluar koha kur partia është dashur që ta ketë një organizatë të ndarë të grave, për t’iu qasur votueseve gra.
“Sot Gruaja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbetet në lëvozhgën e saj e segreguar, por duhet të zgjerohet organizimi i saj, potenciali i saj dhe rëndësia e saj, për t’u bërë jo vetëm pjesë e pandashme organike e partisë, por për të krijuar sinergjinë e nevojshme për përfaqësimin meritor dhe të barabartë të grave në udhëheqje dhe vendimmarrje”.
“Ky nuk është vetëm vullneti im. Para së gjithash, është vullneti i grave brenda PDK-së. Është momenti për ta bërë kapërcimin që kërkohet tash e sa kohë. Dhe neve na takon që ta bëjmë të parët, për ta dhënë shembullin tonë të brendshëm nesër edhe në qeverisje, edhe në shoqëri”.
Derisa nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK ka ditur gjithmonë të ketë guxim për vendime të mëdha, siç është ky i sotmi sot.
“PDK ka pasur dhe ka guxim. PDK ka pasur dhe ka guxim të ndërtoj historinë dhe të projektoj të ardhmen. Në PDK nuk ekziston një tavolinë për burra dhe një tavolinë për gra. Dhe, ne, vetëm bashkë, në një tavolinë, mund të marrim vendime të drejta të cilat do ta çojnë Kosovën në shekullin e ri”.
Ndërkaq, drejtoresha e NDI, Nancy Soderberg, ka përshëndetur vizionin e ri të PDK-së, duke thënë se është jashtëzakonisht e rëndësishme barazia gjinore në vendimmarrje.
“Kosova ka pasur mangësi në përfshirjen e grave në qeverisje. Thënë thjesht, suksesi i demokracisë së Kosovës varet nga pjesëmarrja e grave. Prandaj kjo konventë ka shumë rëndësi. Përfshirja e grave në politikë, për të bërë të dëgjohet i secilit qytetar, është shumë me rëndësi. Gratë dhe burrat duhet të bëjnë më shumë për të fuqizuar gruan. Nuk duhet të jetë 30 për qind, as 40 për qind, por 50 me 50 për qind. Prandaj, edhe motoja juaj, “Bashkë! 50 me 50” është kaq e rëndësishme sepse po vëni një standard të ri për të gjithë në Kosovë”, ka thënë Soderberg./Prishtinapress/