Drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës, Rezearta Ismaili, ka akuzuar Ministrinë e Kulturës për presion ndaj saj dhe të punësuarve, për të bërë kërkesë për dislokim në hapësirat e Fakultetit të Arteve Muzikore.
Sipas saj në mbledhjen e Këshillit Drejtues të bibliotekës njëzëri është hedhur poshtë propozim i Ministrisë.
Të punësuarit kanë vizituar ambientet ku Ministria e Kulturës synon të diskolojë Bibliotekën, ndërsa aty kanë hasur mungesë të kushteve elementare për funksionim. Drejtuesit e Bibliotekës thonë se në rast të një vendimi të prerë për dislokim do të ketë protesta.
“Në bashkëpunim me punëtorët i kemi vizituar këto hapësira dhe e pamë që nuk ka kushte për funksionim të bibliotekës aty, sepse qarkullim të ajrit aty nuk ka dhe nuk do mund të punojmë sepse në momentin që do vendosen raftet me libra nuk do të mund të marrim frymë, madje aty as tualet nuk ka.
Neve na është bë presion përmes telefonit që ne vetë si institucion të bëjmë kërkesë për zhvendosje në Ministri por ne këtë kërkesë nuk e kemi bë.
Nëse do vjen puna deri tek vendimi përfundimtar i Ministrisë ne do protestojmë, madje edhe protestuesit janë gati të na përkrahin. Tetova nuk do mbetet pa bibliotekë”, tha Rezearta Ismaili drejtoresha e Bibliotekës “Koço Racin” Tetovë.
Alsat kontaktoi edhe Ministrinë e Kulturës, nga ku mohojnë akuzat e drejtoreshës për presione ndaj saj dhe të punësuarve.
“Drejtoresha nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë presion nga ana e Ministrisë së Kulturës lidhur me kërkesën në fjalë.
Përveç kësaj, Qeveria është në pushim vjetor që nga data 3 dhe nuk mund të konfirmojmë nëse ka apo jo kërkesë për dislokim nga ana e Bibliotekës së Tetovës”, thonë nga Ministria e Kulturës.
Kohë më parë Shtëpia e Kulturës në Tetovë konfirmoi se Ministria e Kulturës ka kërkuar dislokimin e Bibliotekës së Tetovës në klasat e Fakultetit të Arteve Muzikore, të cilat nuk plotësojnë as kushtet minimale për një bibliotekë. /alsat.mk/