Site icon PrishtinaPress

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë: Shumica e fëmijëve e nisin mësimin pa libra, procesi i vonuar dhe i keqmenaxhuar

Qeveria e Kosovës nuk ua ka siguruar librat nxënësve nga klasa 1 – 9, por i ka subvencionuar prindërit me nga 80 euro për blerjen e tyre.

Vendimi u mor tek një javë para nisjes së mësimit.

Andaj drejtoresha për arsim në komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati po konsideron se procesi është tejet i vonuar dhe se shumica e nxënësve do të nisin mësimin pa u furnizuar me tekste shkollore.

“Ka qenë një proces i keqmenaxhuar që nga fillimi. Ka qenë si proces tejet i vonuar. Kemi filluar vetëm 10 ditë para se te fillojë mësimi. Eksperiment shumë i madh. Çdo ditë ballafaqohemi me pyetje të shumta të prindërve të cilët nuk dinë si të kenë qasje në portalin e-kosova, si dhe kanë telashe teknike”, u shpreh Musmurati për “Front Online”.

Musmurati thotë se forma e re ka krijuar shpenzime më të larta, vonesa dhe humbje efektive të mësimit.

Sipas saj, Qeveria është dashtë ta mendojë shumë më herët këtë plan.

“Qeveria është dashtë me menduar shumë më herët, nëse e ka pasë plan një formë të tillë të kompensimit. Me u planifiku prej janarit si proces, me na njoftuar si komunë, në mënyrë që edhe ne, me pasë mundësi me dhanë kontributin tonë me i ndihmu ministrisë në realizimin e një projekti të tillë”, potencoi Musmurati për “Front Online”.

Mësimin, shumica prej fëmijëve kryeqytetas e nisin pa libra.

“Fatkeqësisht nxënësit do ta nisin mësimin pa libra. Problem ky jo veç në Prishtinë, por gjithandej Kosovës. Do të fillojmë mësimin më 1 shtator dhe pastaj jemi dakorduar me ministrinë që duhet t`i japim inputet tona se si po shkon. Ministria me na tregu orët që janë të humbura si rezultat i mungesës së librave, si do të kompensohen, çfarë bëhet në rastet kur nuk blihen fare librat”.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë: Intervenuam në 22 shkolla, 5 i rinovuam tërësisht, jemi gati për vitin e ri shkollor

Besianë Musmurati është drejtoreshë e arsimit në komunë të Prishtinës.

Ajo thotë se prej që ka marrë këtë detyrë është fokusuar në investimet kapitale.

“Kemi bërë në 22 shkolla intervenim dhe në 5 shkolla kemi bërë rinovim të tërësishëm. Sivjet do të kemi objekte më të mira shkollore. Jemi gati për vitin e ri shkollor”.

Sipas Musmuratit, kanë rritur edhe sigurinë në shkolla.

“Dhuna në shkolla gjate pandemisë ka qenë fenomen në rritje, na kane treguar prindërit dhe policët. Kemi investuar 1.5 milionë euro për sigurinë në shkolla. Kemi punësuar 25 psikologë për herë të parë dhe asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta”.

“Edhe komuna e Prishtinës po përballet me ikje të mësimdhënësve, problem në rritje”

Mësimdhënësit po lënë vendet e tyre të punës në Kosovë për të ikur jashtë vendit.

Kjo është informata që e dhanë krerët e sindikatës së arsimit.

Drejtoresha në komunën e arsimit, Besianë Musmurati e pranon se po përballën me këtë telashe.

“Patjetër çdo komunë e ka problematikën e njëjtë. Kemi një migrim të popullatës. Kjo manifestohet për çdo profesion. Po ballafaqohemi me ikjen e mësuesve”.

Ajo tha se akoma Ministria e Arsimit nuk ia ka bërë zgjidhjen këtij problemi.

“Nuk kemi politikë si do ta bëjmë kompensimin e mësimdhënësve nga ana e Ministrisë së Arsimit për me tejkaluar këtë problem. Deri tash po shkojmë me zëvendësime, kushdo që mungon e zëvendësojmë me një mësues tjetër. Është një problem në rritje”.

Prindër bëhuni gati, më 1 shtator në Prishtinë hapet thirrja për t`i subvencionuar familjet për të dërguar fëmijët në kopsht

Një lajm i mirë po vjen.

Më 1 shtator, komuna e Prishtinës hap thirrjen publike për t`i subvencionuar familjet për të dërguar fëmijët në kopshte.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati dha detaje.

“Të gjitha familjet që i kanë të hyrat nën 500 euro dhe dëshirojnë me i çu fëmijët në çerdhe private i subvencionojmë me nga 70 euro këto familje”.

Por deri kur do të jetë e hapur kjo mundësi.

“Thirrja do të jetë e hapur deri më 15 shtator. Duam t`ju ndihmojë sadopak prindërve, por edhe të investojmë në edukimin e hershëm të fëmijëve”.

Exit mobile version