Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, ka reaguar në lidhje me çështjen e shkollës “Elena Gjika”, ku është larguar portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu dhe në vend të tij është vënë ora me flamurin turk.
Nagavci ka treguar se në bazë të kompetencave ka kërkuar nga drejtori i shkollës që menjëherë të gjitha fotografitë e Skënderbeut dhe të Elena Gjikës të rivendosen në vendet e tyre si dhe të hiqen orët e vendosura.
Postimi i plotë i Nagavcit:
Në lidhje me çështjen e shkollës ” Elena Gjika”, që u bë temë në mediat tona, ndjej obligim të njoftoj si më poshtë:
Sot kuptova se në shkollën ” Elena Gjika”, janë hequr fotografitë e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu dhe se agjencia për bashkëpunim dhe zhvillim e Turqisë ” TIKA” që ka bërë një donacion në këtë shkollë, ka vendosur orë muri me emrin e saj dhe me flamur të shtetit turk. Sipas drejtorit të shkollës, orët janë vendosur në dhomat mësimore ku zhvillojnë mësimin nxënësit e nacionalitetit turk .
Sa për njohuri, punët që janë kryer në njëmbëdhjetë klasë kanë qenë donacion nga organizata “Tika” dhe kjo është bërë me kërkesë të drejtorit të shkollës dhe me aprovim të Këshillit Drejtues të shkollës, kurse gëlqerosja e hapësirës tjetër të shkollës është bërë nga ana e Komunës së Prishtinës.
Gjithnjë sipas drejtorit, në shkollë fotografitë e Skënderbeut kanë qenë të vendosura në sallën e mësimdhënësve dhe në hollin e shkollës, kurse në dhomat e mësimit kanë qenë të vendosura fotografi të Elena Gjikës. dhe të njëjtat janë hequr përkohësisht për shkak të gëlqerosjes së mureve.
Në bazë të kompetencave tona, kërkuam nga drejtori i shkollës që menjëherë të gjitha fotografitë e Skënderbeut dhe të Elena Gjikës të rivendosen në vendet e tyre si dhe të hiqen orët e vendosura.