Site icon PrishtinaPress

Drejtësia gjatë 2022-ës në rastet e kthyera në rigjykim

Kthimi i shpeshtë i rasteve gjyqësore në rigjykim është një nga arsyet e tejzgjatjes së procedurave gjyqësore, procedura këto ku disa prej tyre as gjatë vitit 2022 nuk kanë arritur të marrin epilog përkundër që të njëjtat kanë filluar shumë vite më parë.

Tanimë është e njohur që sistemi gjyqësor “vuan” nga lëndët e shumta të vjetra që nuk janë proceduar brenda afateve të arsyeshme kohore e që ende po vazhdojnë të presin për t’u zgjidhur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në raportin e publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me titull “Drejtësia e vonuar në Kosovë”, thuhet se gjatë periudhës janar- qershor 2021 gjykatat kanë qenë të ngarkuara me 14 mijë e 429 lëndë të vjetra Departamenti i Përgjithshëm/Divizioni Penal (DP) që përbëjnë 34.25% të totalit të këtyre lëndëve, pastaj me 2 mijë e 164 lëndë të vjetra Departamenti për Krime të Rënda (DKR) apo 41.67% të totalit të lëndëve në punë dhe 25 mijë e 764 lëndë “të vjetra” civile, që përbëjnë 23.06% të totalit të lëndëve në punë gjatë kësaj periudhe. E që kjo ngarkesë e gjykatave me lëndë ka vazhduar edhe gjatë vitit 2022.

Kësaj ngarkese të gjykatave me lëndë të vjetra, padyshim që i ka kontribuuar edhe kthimi i shpeshtë i rasteve në rigjykim nga shkalla e dytë.

“Ping-Pongu” me lëndët gjyqësore ndërmjet gjykatave të shkallës së parë dhe asaj të dytë është ndër faktorët që i kontribuon zvarritjes së procedurave gjyqësore e që për pasojë kanë tejzgjatjen e këtyre rasteve dhe shkeljen e të drejtave të palëve në procedurë, në mënyrë që të njëjtit ta realizojnë të drejtën e tyre brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Sipas statistikave të raportit të lartcekur të IKD-së, rezulton se Apeli në vitin 2019 ka kthyer 28.09% të lëndëve, derisa nuk ka pasur të gjeneruara statistika të tilla për vitin 2020.

Sa i përket lëndëve në DP, Apeli në vitin 2019 ktheu në rigjykim 19.25% të lëndëve, derisa për vitin 2020 ktheu në rigjykim 20.43% të lëndëve.

Ndërsa, sa i përket lëndëve në DKR sipas raportit të IKD-së, rezulton se Apeli për vitin 2019 ka kthyer 22.54%  të lëndëve në rigjykim dhe për vitin 2020 janë kthyer 20.11%.

Pra, Gjykata e Apelit, ndonëse me ligj ka të gjitha autorizimet që të vendos në mënyrë meritore për vendimin i cili ankimohet, e njëjta për shumë lëndë zgjedh t’i kthejë në rigjykim. Ndonëse kthimi i një lëndë në rigjykim nuk përbën shkelje ligjore, praktika gjyqësore ka dëshmuar se rigjykimi si i tillë, i cili në raste të caktuara aplikohet disa herë tek i njëjti rast dhe për të njëjtat shkelje, zvarrit procedurën gjyqësore si të tillë dhe për më tepër ngarkon edhe gjykatat e shkallës së parë me lëndë.

Se një praktikë e tejzgjatjes së procedurave gjyqësore është e dëmshme për të drejtat e të pandehurit, e kishte konstatuar edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ).

Kjo gjykatë në rastin “Kaçiu dhe Kotorri kundër Shqipërisë”, në aktgjykimin e vitit 2013 kishte konstatuar shkelje të së drejtës për shkak të kohëzgjatjes së procedurës gjyqësore. Lidhur me këtë, GjEDNJ nënvizon se: “Problemi kryesor në çështjen në fjalë, të cilin Gjykata e ka shqyrtuar edhe në një çështje të mëparshme kundër shtetit të paditur, është kthimi i shpeshtë i çështjeve për rigjykim nga gjykatat më të larta te gjykatat më të ulëta. Gjykata është e mendimit se kjo vonesë i atribuohet tërësisht gjykatave të vendit. Në këtë rast procesi penal zgjati 6 vjet dhe 11 muaj, zgjatje e cila çoi në një shkelje që i atribuohet gjykatave të brendshme” .

Kthimi i shpeshtë i lëndëve në rigjykim ishte trajtuar edhe në hulumtimin e emisionit “Iustitia”. Sipas këtij hulumtimi, rezultonte se rreth 40 për qind të lëndëve kthehen në rigjykim nga Gjykata e Apelit në Kosovë.

“Betimi për Drejtësi” ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të dhëna statistikore për numrin e rasteve të kthyera në rigjykim gjatë vitit 2022, por deri në publikimin e këtij raporti nuk është pranuar ndonjë përgjigje.

“Betimi për Drejtësi” më poshtë ka paraqitur disa nga rastet të cilat janë kthyer deri në tri herë në rigjykim. Disa nga rastet e paraqitura më poshtë, pas shumë vitesh kanë marrë një epilog gjatë vitit 2022, ndërsa shumë të tjera vazhdojnë të gjykohen për herë të tretë ose katërt në gjykatat e shkallës së parë. Se si janë trajtuar këto raste gjatë vitit 2022, i gjeni detajet më poshtë.

Vrasja e Donjeta Pajazitajt, Themelorja dhe Apeli gjatë këtij viti u pajtuan për aktgjykimin dënues, por jo edhe për lartësinë e dënimit

Ky rast është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë tre herë, duke bërë që gjykata e shkallës së parë ta trajtojë për të katërtën herë këtë rast.

Në këtë rast, që nga ngritja e aktakuzës kanë kaluar më shumë se 5 vjet.

Gjatë vitit 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj në rigjykim e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, mirëpo me një vendim të tillë nuk është pajtuar Gjykata e Apelit, e cila më 18 nëntor 2022 e kishte ulur dënimin në 35 vjet burgim.

Sipas aktakuzës, Naser Pajazitaj më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, me armë dhe atë revole të tipit të panjohur, në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat, por pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim. Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019, e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019. Por, në nëntor të 2019-ës, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit, dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë. Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit. Për herë të tretë, Gjykata Themelore në Ferizaj më 27 maj 2021 e kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn. Por edhe ky vendim është anuluar nga Apeli, kjo e fundit më 29 tetor 2021 këtë çështje e ka kthyer sërish në rigjykim tek Themelorja, duke bërë që për këtë çështje penale të procedohet për herë të katërt.

Kjo larmi e vendimeve të nxjerra nga gjykatat e rregullta dhe kthimi i shpeshtë i këtij rasti në rigjykim nga Apeli, i ka kontribuuar zvarritjes së kësaj çështjeje penale, duke rënduar edhe më shumë pozitën e pjesëmarrësve në procedurë.

Pas tri aktgjykimeve dënuese, herën e katërt ish-kryeshefi i AKPPM-së dhe zyrtari tjetër u liruan nga akuza për korrupsion

Ky rast është një shembull tjetër i kthimit të shpeshtë të lëndëve në rigjykim, pasi këtë rast Gjykata e Apelit e ka kthyer tri herë në rigjykim.

Që nga ngritja e aktakuzës e deri në shpalljen e aktgjykimit të katërt, kanë kaluar më shumë se 8 vite.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor 2022, në rigjykim ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) Ilir Dushi, dhe të zyrtarit Bersan Kolgecit, lidhur me akuzën për korrupsion.

Dushi dhe Kolgeci u gjykuan për herë të katërt lidhur me akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pasi që Gjykata e Apelit këtë rast e ka kthyer në rigjykim tri herë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me këtë rast kishte marrë aktgjykim dënues tri herë, në vitin 2017, 2018 dhe 2020, derisa rasti pritej të parashkruhej me 7 gusht 2023.

Ky gjykim u zhvillua në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sipas së cilës më 7 gusht 2013, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), i akuzuari Ilir Dushi, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të AKPPM-së, Haki Ejupi, në pozitën e drejtorit të Departamentit të Licencimit, në bashkëkryerje me Bersan Kolgecin, drejtor i Departamentit Ligjor, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Kjo vepër, sipas kësaj aktakuze, është bërë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në këtë rast për operatorin ekonomik “Prima Pharm”.

Në këtë rast, i akuzuar për veprën penale “Prodhim i ndaluar” kishte qenë Edon Hajrullaga, mirëpo i njëjti me aktgjykimin e vitit 2017 dhe 2018 ishte dënuar me gjobë në lartësi prej 10 mijë euro, ndërsa në vitin 2020 ishte marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit absolut.

“Lufta” e “Ping-Pongut” mes Apelit dhe Themelores për të akuzuarin për terrorizëm

Rasti i Leunis Frangut ishte kthyer në rigjykim tri herë nga Gjykata e Apelit, çka kishte bërë që i njëjti rast të trajtohet për herë të katërt nga Themelorja. Pas shqyrtimit të ankesave për të katërtën herë, Apeli ka liruar nga akuza të dënuarin me tri vite burg për terrorizëm.

Që nga ngritja e aktakuzës e deri më 2 janar 2023, në këtë rast kanë kaluar 2 mijë e 498 ditë apo 6 vite, 10 muaj e 3 ditë.

Gjykata e Apelit më 20 nëntor 2022 e ka liruar nga akuza të dënuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Leunis Frangun, i cili tri herë ishte liruar nga akuzat për terrorizëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por i cili rast vazhdimisht është kthyer në rigjykim nga Apeli. Mirëpo, më 13 maj 2022 për herë të katërt Themelorja e kishte shpallur fajtor dhe e kishte dënuar me tre vite burgim të akuzuarin Frangu.

20 euro ryshfet duke keqpërdorur pozitën zyrtare, rasti ndaj zyrtarit të gjykatës po gjykohet për herë të katërt

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për herë të tretë rastin e Baki Rrahmanit, zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili nga Gjykata Themelore në Gjilan, me aktgjykimin e fundit të 6 gushtit 2021, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Marrje ryshfeti”, duke e dënuar me 7 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Po ashtu, me këtë aktgjykim të njëjtit i ishte ndaluar ushtrimi i funksionit publik për një vit, i ishte konfiskuar telefoni i markës “Samsung” dhe shuma prej 10 eurosh.

Rrahmani me të njëjtin aktgjykim në pikën I, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo, ky vendim ishte anuluar dhe çështja iu është kthyer Themelores për rigjykim vetëm për dispozitivin e II të aktgjykimit, ndërsa për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, meqenëse nuk kishte pasur ankesë për pjesën liruese të aktgjykimit, sipas Apelit për këtë pikë vetëm është konstatuar se mbetet e pandryshuar.

Sipas aktakuzës, Baki Rrahmani në cilësinë e personit zyrtar- ndihmës-referent kishte kërkuar dhe marrë 20 euro ryshfet nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”.

Këto para sipas aktakuzës, Rrahmani i kishte marrë duke i premtuar të dëmtuarit Sadrija se do bisedojë me gjyqtaren që ta lirojë nga akuza me të cilën i dëmtuari ngarkohej.

Rasti “Çekiçi”, i akuzuari u dënua për herë të tretë nga shkalla e parë pasi ishte kthyer dy herë në rigjykim nga Apeli

Në këtë rast, nga ngritja e aktakuzës kanë kaluar afro 13 vite dhe ende nuk ka një vendim të formës së prerë.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 tetor 2022, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vjet burgim të akuzuarin Gëzim Retkoceri, për akuzën se vrau tani të ndjerin N.H, në prill të vitit 2009 në Lipjan.

Në këtë rast Prokuroria Publike e Qarkut më 21 janar 2010 kishte ngritur aktakuzë me të cilën Retkocerin dhe Osman Spahiun i ngarkonte me veprën penale të vrasjes së rëndë të tani të ndjerit N.H. Sipas aktakuzës, të akuzuarit më 29 prill 2009, pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit të veprës penale nga ana e prokurorisë, ai për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim. Duke qenë se Spahiu kishte qenë në paraburgim nga viti 2009 e deri më 21 janar 2020, i njëjti tashmë veç e ka mbajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij.

Ky rast gjatë këtij viti është trajtuar për herë të tretë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer dy herë në rigjykim. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit Retkoceri dhe Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim. Por, ky vendim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit më 4 maj 2016. Në janar të vitit 2020, Themelorja të akuzuarin, Retkoceri, sërish e kishte dënuar me 30 vjet burgim, pasi e kishte shpallur fajtor për vrasjen e të ndjerit N.H., në vitin 2009, në Lipjan. Kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020 pas ankesave të mbrojtjes. Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Vrasjen në “Bon Vivant”, Themelorja po e gjykon për herë të tretë

Që nga ngritja e aktakuzës së këtij rasti e deri më 2 janar 2023, kanë kaluar 2 mijë e 736 ditë apo 7 vjet, 5 muaj e 26 ditë.

Ky rast është kthyer dy herë në rigjykim, tani Themeloja po e gjykon për herë të tretë këtë lëndë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe armëmbajtje pa leje. Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Gërdovci dhe Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë dy herë aktgjykime dënuese, mirëpo këto aktgjykime ishin anuluar nga instancat më të larta të gjyqësorit.

Afër 9 vite nga ngritja e aktakuzës, rasti “Enver Sekiraqa”, po gjykohet për herë të tretë

Enver Sekiraqa i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, po gjykohet për herë të tretë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Themelorja, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës, duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Gjatë viti 2022, sipas monitorimit që “Betimi për Drejtësi”, i ka bërë këtij rasti, janë caktuar 10 seanca. Disa prej këtyre seancave, kanë dështuar të mbahen për arsye të ndryshme, e njëra ndër to ishte edhe ndalja e energjisë elektrike. Disa herë po ashtu ishte kërkuar edhe sigurimi i dëshmive të Adelina, Zanfina dhe Ema Ismailit, për të cilat prokurori i rastit Haki Gecaj kishte propozuar që të merren dhe të lexohen deklarata e tyre të dhëna në të gjitha fazat e procedurës, mirëpo një gjë e tillë ishte refuzuar nga ana e mbrojtës.

Dëshmia e motrave Ismaili ishte dëgjuar përmes video-lidhjes, për çka edhe ishte mbyllur seanca.

Më 29 dhjetor 2022, seanca për këtë rast ishte shtyrë pasi fillimisht dëshmitari Arben Berisha kishte refuzuar të flasë pa avokat, por edhe pas sigurimit të këtij të fundit, dëshmitari Berisha kishte kërkuar shtyrjen e seancës. Gjykimi i këtij rasti pritet të vazhdojë gjatë këtij muaji.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “Detyrim” dhe “Dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të sipas aktakuzës, ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident, i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim.

2022-ta i dha epilog për herë të dytë rastit “Syri i Popullit”

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur fajtor dhe dënuar me 4 vjet e 6 muaj dënim me burgim Avni Llumnicën, i akuzuar për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J.

Për ndihmë në tentim vrasje, akuzohej edhe Sadri Ramabaja, por ai është liruar nga aktakuza.

Gjykata e shkallës së parë, për këtë rast kishte vendosur edhe në vitin 2020, ku kishte marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve të organizatës të ashtuquajtur “Syri i Popullit”, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 shkurt 2018.

Pas ankesave të palëve, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit ku edhe kishte rekomanduar që aktakuza në këtë rast të redaktohej dhe ndryshohej.

Duke vepruar konform rekomandimeve të Apelit, PSRK kishte ngritur aktakuzë të re në këtë rast.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha ishin tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast. Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohet se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J., kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohet se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes. Ky i fundit, pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, është dënuar me 300 euro gjobë.

Lidhur me akuzën ndaj tani të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast, me të cilën  Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana akuzoheshin për vepra të ndryshme penale.

2022-ta e ktheu në rigjykim edhe rastin “Veteranët”

Ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, janë të akuzuarit në rastin e njohur si “Veteranët”, për të cilin rast, Gjykata Themelore e Prishtinës më 19 janar 2021 i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mirëpo, kështu nuk ka menduar edhe Gjykata e Apelit, pasi në prill 2022, e ka kthyer rastin në rigjykim. Sipas kësaj gjykate, shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

Për këtë, Apeli kishte vërtetuar se shkalla e parë gabimisht ka vërtetuar faktin se të akuzuarit kur kanë vepruar kanë qenë dy ligje të veçanta në fuqi. Mosadministrimi i aplikacioneve të verifikuara ka rezultuar në vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje tjera që kjo gjykatë kishte gjetur.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gazi lotsjellës në Kuvend, e sjellë sërish para gjykatës ministren e Drejtësisë dhe të tjerët

Janë bërë afër 7 vite që kur Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka ngritur aktakuzë për armëmbajtje pa leje ndaj tani ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetit Pal Lekaj dhe ish-deputeteve Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, lidhur me akuzën për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje të lartcekurit.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 14 tetor 2022, ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer rastin në rigjykim pas ankesës së prokurorisë, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike.

Përgjigje në ankesë kishte paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Pal Lekaj, avokati Arianit Koci, ndërsa prokurori i Prokurorisë së Apelit kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të aprovohet si e bazuar dhe që aktgjykimi i shkallës së parë të prishet dhe lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2016, Pal Lekaj, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi dhe Albulena Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të Kodit Penal.

Këto nuk janë rastet e vetme për të cilat ka vazhduar gjykimi në vitin 2022 pas kthimit në rigjykim. Ky vit është përcjellë me shumë vendime të Gjykatës së Apelit për të kthyer në rivendosje lëndët.

Në mesin e këtyre rasteve është edhe saga në mes të Telekomit të Kosovës dhe ish-kompanisë Dardafon, rast ky të cilin pas vendimeve të të gjitha shkallëve ishte kthyer në rigjykim dhe ishte trajtuar në Gjykatën Komerciale.

Më 2022 kishte filluar rigjykimin edhe në rastin ndaj ish-drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet se kishte shpërndarë laptopë dhe çanta për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë nga sasia totale prej 43 pa kusht që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik. Dhe kështu i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 19 mijë e 350 euro.

Me akuzat për korrupsion do të përballet edhe një herë edhe ish-drejtorin e Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj. Ndonëse, më 10 qershor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza, Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin pas ankesës së prokurorisë, me arsyetimin se aktgjykimi përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje të Ligjit Penal.

Boshtrakaj akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Muzeut të Kosovës, me dashje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, i kishte tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim të mundësimit të përfitimit të dobisë pasurore për kompaninë “TIKI”, SH.P.K, duke nënshkruar kontratë për furnizim me këtë kompani, me çka Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i kishte shkaktuar dëm në shumë prej 269 mijë e 444 euro.

Edhe Gjykata Supreme gjatë 2022-ës, ka vendosur të kthejë në rigjykim rastin e inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, të cilin Gjykata e Apelit, e ka dënuar me 18 muaj burgim efektiv për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim edhe rasti ku dy ish-ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi  në dhjetor të 2021-ës nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin liruar nga akuzat për keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Për herë të dytë në rigjykim është kthyer edhe rasti i vrasjes me pagesë në Deçan, pas aktgjykimit dënues me 47 vite burgim për Bekim Rajën, Avni Sinanajn, Murat Sinanajn dhe Gjon Pnishin.

Gjykata Themelore në Pejë, më 20 maj 2022, Bekim Rajën e ka dënuar me 14 vite e 6 muaj burgim, Avni Sinanajn me 8 vite e 6 muaj burgim, Murat Sinanajn me 18 vite e 6 muaj burgim, kurse Gjon Pnishin me 6 vite burgim, të cilin dënim ai e ka mbajtur, për vrasjen e viktimës Ferdinand Gjini.

Në këtë rast janë bërë afër 5 vite që nga ngritja e aktakuzës, ndërsa afër 9 vite që prej kur është kryer vrasja.

Për vrasje të vëllait për motive pronësore, ka vazhduar gjykimi edhe ndaj të akuzuarit Asllan Nikqi. Ky rast gjykohet për herën e tretë, pasi kthimit në rigjykim dy herë nga Gjykata e Apelit.

Këto janë vetëm disa nga rastet që janë kthyer në rigjykim dhe janë trajtuar gjatë këtij viti. Disa prej tyre kanë marrë epilog, ndërsa disa prej tyre do vazhdojnë të gjykohen e rigjykohen nga ana e gjyqtarëve për çka “Betimi për Drejtësi”, do iu mbajë të informuar

Ndërkaq, në të kaluarën Apeli kishte kthyer raste deri në katër herë në rigjykim. Një shembull i tillë është ai inspektorit të Komunës së Kamenicës, Sadullah Dërmaku, i cili është dënuar pesë herë nga Gjykata Themelore në Gjilan. Ai akuzohej se ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajsh si dhe dënimin me gjobë në vlerë prej 300 euro.

Exit mobile version