Vrasja e Liridona Murselit më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë tronditi vendin. E ndjera e cila ishte gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacollit, dyshohet se u vra me porosi nga bashkëshorti i saj, Naimi, pasi të dy fillimisht u përballën me disa grabitës, të cilët ua morën gjësendet me vlerë dhe më pas shtënë me armë, duke lënë të vdekur Liridona Murselin, 30-vjeçare.
E lidhur me këtë rast të rëndë, një marshim-protestë do të zhvillohet në Tiranë.
Marshimi, sipas njoftimit, do të nisë të dielën në orën 11:30 nga Ministria e Brendshme drejt Ambasadës së Kosovës në Tiranë.
Policia e Kosovës dha detaje shtesë lidhur me arrestimin Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, si të dyshuar lidhur me vrasjen e Liridona Murselit, mbrëmjen e 29 nëntorit.
Sipas një njoftimi, Policia bëri të ditur se është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 19 fishekë dhe një veturë që janë përdorur në krimin e rëndë.