Në Friedrichsfelde, lokacion i vendosur në periferinë lindore të Berlinit të Gjermanisë, një i panjohur ka qëlluar me armë në drejtim të një veture Audi.
Sipas mediave gjermane, bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur rreth orës 13:30 të së mërkurës pasdite.
Aty, siç bëhet e ditur më tej, në rrugën Dolgenseestrasse janë dëgjuar disa të shtëna nga ku një i panjohur hapi zjarr ndaj një veture Audi.
Burri ka qëlluar disa herë në drejtim të automjetit, duke qëlluar shoferin 55-vjeçar.
Sipas informacioneve të mediave gjermane, ai ka marrë një plumb në shpatull.
Shoferi i plagosur rëndë u trajtua nga ekipet e shpëtimit dhe u dërgua në spital.
Po sipas policisë, i plagosuri është shqiptar nga Kosova.
Siç raportohet më tej, në automjet nuk kishte persona të tjerë ndërkohë që autori ka mundur të largohet në drejtim të panjohur.
Për shkak të dyshimit për një “tentimvrasje”, hetimin e mori një komision i vrasjeve dhe sipas policisë nuk ka prova për ndonjë konflikt të “klaneve kriminale”.