Site icon PrishtinaPress

Drama e pafund mes PSD’se dhe VV’së në Prishtinë, kush po bashkëpunon me PDK’në?

Pas ndarjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kalimit të disa anëtarëve të saj në PSD, tensionet brenda këtyre dy partive nuk kanë të ndalur, e sidomos në mbledhjet e asamblesë së Prishtinës, ku këto dy parti kanë ballafaqimin më të madh mes vete.

Vetëvendosje po e akuzon PSD’në dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, se po bashkëpunon me PDK’në, ndërsa këta të fundit thonë se nuk kanë asnjë bashkëpunim as me Ahmetin, e as me partinë e tij, përkundrazi, këta thonë se Ahmeti nuk po punon sa duhet për qytetin.
Partia e Shpend Ahmetit, po akuzohet nga ish-partia e tij, Vetëvendosje, se po bashkëpunon me PDK’në, sipas tyre, për të bërë pazare dhe për të zaptuar Komunën e Prishtinës.

Por kjo sipas kryetarit të Degës së PDK’së në Prishtinë, Lirak Çelajt, nuk është e vërtetë. Ai për Express ka thënë se PDK nuk ka kurrfarë përkrahje për Ahmetin dhe, duke rikujtuar se partia e tij e ka denoncuar Ahmetin për keqpërdorim në Komunën e Prishtinës.

“Jo, nuk ka kurrfarë përkrahje ndaj Shpend Ahmetit. Nganjëherë mund të jetë edhe rastësi apo pozicionim momental, i cili mund të tingëllojë si përkrahje, por nuk ka asgjë të tillë. Ju e dini që ne kemi ngritur edhe padi ndaj tij (Ahmetit) për keqpërdorime dhe gjëra të tilla, prandaj nuk ka asnjë lëvizje as ndonjë shenjë përkrahjeje nga ne”, ka thënë Çelaj për Express.

Ndërsa pas ndarjes së Vetëvendosjes dhe kalimit të disa anëtarëve të saj në PSD, përfshi këtu edhe Shpend Ahmetin, asamblistët e VV’së, po e akuzojnë Ahmetin për bashkëpunim me PDK’në, pasi sipas tyre, edhe shkarkimi i Egzon Azemit nga Bordi i NPB’së, është një lidhje dhe bashkëpunim i këtyre dy partive për ta zaptuar Komunën e Prishtinës dhe për ta larguar VV’në nga aty.

Në një postim në Facebook, Azemi kishte shkruar se ai u shkarkua nga pazaret e Ahmetit me partinë e Kadri Veselit, pasi siç thotë ai, grupi që u largua nga Vetëvendosje, shkoi në PDK.

Mirëpo, ndryshe nga Azemi, flet Nol Nushi, asamblist i PSD’së, i cili për Express ka thënë se votimi ishte i rregullt dhe procedural. Ai thotë se Vetëvendosje e lëshoi sallën, në mungesë të numrave për ta mbajtur ende drejtor Nexhat Kryeziun, siç e quan ai, protagonistin kryesor të aferës së ndarjes së lokaleve për militantë partiakë të VV’së.

Akuzat se PSD po bashkëpunon me PDK’në, Nushi i ka mohuar, duke thënë se aksionarët janë votuar me votat e koalicionit (PSD-AKR-AAK), ndërsa opozita e pranishme (PDK) nuk ka votuar për ta.

“Aksionarët e rinj u caktuan vetëm me votat e koalicionit kurse opozita e pranishme nuk votoi PËR. Ne do të vazhdojmë te kërkojmë votat e secilit asamblist për të mirën e qytetit. Është në ndërgjegjen e secilit nëse do t’i ndjek interesat politike apo ato të qytetarëve”, ka thënë Nushi.

Kujtojmë se kohëve të fundit, Vetëvendosje ka akuzuar vazhdimisht Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, se e ka marrë mandatin nga VV’ja, për të bashkëpunuar me PDK’në, duke e quajtur atë frikacak e tradhtar të votës së qytetarëve.

 

Exit mobile version