Pas katër muajve punë, me 4 gusht pritet të përfundojë drafti i statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Këtë e konfirmon për Radio Kosovën edhe Vinka Radosavljevic, udhëheqëse e ekipit menaxhues, e cila thotë se “drafti i statutit për themelimin e Asociacionit do të përfundojë me 4 gusht, ashtu siç është përcaktuar nga Brukseli.
Në këtë kohë do të prezantohet në Bruksel në këshillat e të dyja palëve dhe në kuadër të nivelit të lartë për dialog, format ky nga i cili duhet të harmonizohet teksti i fundit i statutit.”
Në pyetjen e Radio Kosovës nëse ky draft po merr parasysh edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ligjet e Kosovës, Radosavljevic thotë se: “Gjatë punës sonë nuk merremi me politikë. Për ne, si ekip menaxhues, relative është ajo se çfarë është arritur në Bruksel dhe këto janë dokumentet në të cilat e kanë vënë nënshkrimin të dyja palët. Ekipi menaxhues nuk duhet që validitetin e këtyre dokumenteve të vë në pikëpyetje, por në bazë të tyre të veprojë dhe ne këtë po e bëjmë, tha Radosavljevic.
Mirëpo, shefi i negociatave me Serbinë nga Qeveria e Kosovës, Avni Arifi, tha për Radio Kosovën se edhe Brukseli mbështet formimin e Asociacionit në bazë të ligjeve të Kosovës:
“Brukseli para gjitha vendeve anëtare ka shprehur pozicionin për asociacionin se ai duhet të jetë konformë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Njëkohësisht është shprehur qartazi përfaqësuesi i BE-së në Bruksel se asociacioni nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive”, tha ai.
Arifi paralajmëron se nëse hartimi i statutit anashkalon vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sërish do të dërgohet në Kushtetuese:
“Nëse këta ekspertë që janë caktuar draftojnë një statut i cili nuk i njeh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë janë duke e futur edhe një herë asociacionin në qorr sokak, sepse ne e kemi një marrëveshje të Brukselit por e cila është sfiduar nga Gjykata kushtetuese dhe ato sfida duhet të tejkalohen dhe jo të shkelen, në mënyrë që të fillojë implementimi i asociacionit…
Shefi i negociatave me Serbinë, Avni Arifi, megjithatë kritikon edhe qeverinë e mëhershme se si ka lejuar që ekipi menaxherial të përbëhet nga katër serbë”, tha ai.
Sidoqoftë, Arifi flet që edhe Brukseli duhet të ketë vendosmëri më të lartë karshi këtij procesi: “Unë kam kërkuar që Brukseli të jetë më i vendosur në implementimin e marrëveshjeve të mbetura, ne kemi kërkuar që Bashkësia Ndërkombëtare të marrë një rol më aktiv, ne kemi kërkuar që edhe SHBA të rikyqet në çështjen e Kosovës. Siç e dini, paqja në Kosovë ka arritur kur amerikanet bashkë me evropianë kanë intervenuar. Ne konsiderojmë se një vendosmëri më e madhe dhe një fokus me i lartë i Bashkësisë Ndërkombëtare do t’i shërbente shumë përfundimit të kësaj çështjeje…”.
Ndryshe, Gjykata Kushtetuese në dhjetor të vitit 2015, ka vendosur se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk është tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.
Megjithatë, është dhënë aprovimi për të vazhduar me themelimin e Asocacionit dhe kjo krejt i është lënë në dorë Qeverisë së Kosovës dhe dekretit që pritet të miratohet dhe dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.