Site icon PrishtinaPress

Draft-statuti për Asociacionin i propozuar nga Rama, si u prit nisma e tij në Kosovë

Partitë në pushtet dhe opozitë në Kosovë kanë shprehur qëndrime të ndryshme sa i përket draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Mimoza Kusari-Lila, tha se Kosova “nuk ka nevojë për shpëtimtar në formën e ofrimit të një draft-statuti”.

“Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe natyrisht me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, tha Kusari-Lila.

Ajo theksoi se nisma e Ramës ndoshta është me qëllim të mirë, “por mund të shkojë keq”, duke shtuar se këtë dokument ajo nuk e ka parë.

Më herët gjatë 8 qershorit, përmes një konference për media, Rama bëri të ditur se dje ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se e ka parë draft-statutin e Ramës, por që dokumentin nuk e ka siguruar nga kryeministri shqiptar.

“Mendoj që iniciativa e Ramës duhet të ketë mbështetje në Kosovë. Mendoj që është hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë”, tha ai.

Hoxhaj tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veçse e ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia kanë arritur më herët gjatë këtij viti.

Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Qeveria e Kosovës është institucioni kompetent për të bërë propozim për statutin e Asociacionit.

“Është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë qeveri e ndonjë vendi tjetër”, u shpreh Gashi.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi që nisma e Ramës të mos paragjykohet. Ai megjithatë tha se këtë draft-statut nuk e ka parë.

“Qëndrimi ynë është shumë i thjesht. E para, në parim diçka që vjen prej presidentit shqiptar – ai ka pasur një deklarim për gjendjen në veri – diçka që vjen prej shtetit amë jodomosdo duhet të gjykohet keq. Në anën tjetër, detyrat e Qeverisë janë detyra të vendit të cilat pa asnjë dyshim duhet t’i ushtrojë Qeveria, e Qeveria jonë nuk po i ushtron. Ajo që del në pah prej kësaj situate është se ekziston një moskomunikim dhe raportet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e fundit”, tha ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Por, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit.

Po ashtu, më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, dhe më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Neni 7 i kësaj marrëveshjeje kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”. Ndërkaq, në nenin 10 palët janë zotuar se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë atë për Asociacionin.

Qeveria e Kosovës ka thënë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Exit mobile version