8.5 C
Pristina
Sunday, March 23, 2025

Buy now

spot_img

Draft-statuti i BE-së për Asociacionin “nuk ka gjasa të anulohet”

Draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por “ai nuk mund të anulohet”, thotë për Radion Evropa e Lirë Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Me këtë vlerësim pajtohet edhe politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili thotë se mund të lindin probleme sa i përket formimit të Asociacionit, nëse “një draft-statut jokushtetues i dërgohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 21 mars se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian, nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Deklaratat e shpeshta për këtë temë, Osmani ka filluar t’i bëjë pas takimit me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 17 mars.

Ajo ka thënë se ia ka shprehur Sorensenit kundërshtimet e saj për këtë draft-statut, i cili i është ofruar Kosovës dhe Serbisë në tetor të vitit 2023 nga të dërguarit e atëhershëm të BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Në atë kohë, BE-ja e ka përshkruar atë si një “model modern” për mbrojtjen e komuniteteve pakicë, ndërsa dokumenti është pranuar në parim si nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ashtu edhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, ndërkohë, Kurti ka ndryshuar qëndrimin për këtë draft-statut dhe ka refuzuar ta dërgojë atë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës – veprim që do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.

Radio Evropa e Lirë pyeti Bashkimin Evropian se a ka ndryshuar qëndrimi i tij për formimin e Asociacionit dhe nëse ka ndonjë zgjidhje tjetër në horizont për komunitetin serb në Kosovë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Osmani tha se vërejtjet e saj ndaj draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë të natyrës substanciale dhe se qëndrimin e saj ia ka përcjellë edhe të dërguarit të ri të BE-së për dialogun, Sorensen.

“Ato nuk janë vërejtje teknike. Një president vendi nuk bën vërejtje teknike. Pra, bën vërejtje substanciale, për sa i përket mospërputhshmërisë me Kushtetutën e Kosovës dhe rrezikut që ai draft-statut mund të bartë për funksionalitetin e brendshëm të Kosovës”, tha Osmani për gazetarët më 21 mars.

Ajo shtoi se vërejtjet e saj janë mendim i saj personal dhe se vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës mund ta vlerësojë draft-statutin e ofruar nga BE-ja, apo ndonjë draft tjetër që mund të ofrohet nga institucionet e Kosovës – “kurdo që të vijë një moment i tillë”.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img