Ka filluar vaksinimi i qytetarëve të moshës mbi 65-vjeçare në Komunën e Vushtrrisë, proces ky që po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe me mbarëvajtje të procest sipas planit të paraparë nga ana e autoriteteve përgjegjëse për këtë proces.
Sipas informacioneve nga Qendra Kryesore e Mjeksisë Familjare në Vushtrri, ku edhe po bëhet vaksinimi i qytetarëve, deri më tani ky proces ka shkuar në rregull dhe pa ndonjë problem eventual.
Lidhur me procesin e vaksinimit të qytetarëve në Komunën e Vushtrrisë, në një prononcim për Gazetën Online Veriu.info, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Vushtrri, Dr. Bujar Pllana, ka folur rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së këtij procesi.
“Kemi filluar sot fazën e vaksinimit të qytetarëve të moshës mbi 65-vjeçare, proces ky që deri më tani ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe sipas planifikimeve që kemi bërë paraprakisht në koordinim me drejtorëshën e QKMF-së, Drejtorinë e Inspektimeve në Komunën e Vushtrrisë si dhe me Policinë e Kosovës. Deri në momentin kur po flasim, sipas të dhënave, janë vaksinuar diku mbi 90 qytetarë”, ka thënë drejtori Dr. Bujar Pllana, i cili ka shtuar vaksinimi do të vazhdojë deri në orën 19:30, sipas planit për vaksinim.
Se vaksinimi ka shkuar në mënyrë të rregullt dhe me një mbarëvajtje të këtij procesi pa ndonjë problem eventual, drejtori Pllana ka sqaruar se kjo është arritur falë punës së mëhershme që është bërë në përgatitjet paraprake që kanë bërë si drejtori bashkë me QKMF-në, Drejtorinë e Inspektimeve dhe me Policinë e Kosovës. Ai po ashtu ka thënë se mbarëvajtjes së këtij procesi i ka kontribuuar edhe bashkëpunimi i qytetarëve, kur kihet parasyshë që ky është një proces që kërkon specifika të veçanta dhe duhet kujdes maksimal në mbarëvajtje dhe në realizim.
“Mbarëvajtjes së procesit, rregullit të treguar i ka paraprirë informimi me kohë që është bërë te qytetaret rreth kohës dhe mënyrës së vaksinimit, pastaj koordinimi i mirë i punëve dhe angazhimeve në mes Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, QKMF-së, Drejtorisë së Inspektimeve si dhe Policisë së Kosovës. Por, këtij procesi i ka ndihmuar shumë edhe kultura e madhe bashkëpunuese e treguar nga ana e qytetarëve që kanë ardhur për vaksinim”, ka thënë më tej Dr. Pllana, për të shtuar se vaksinimi do të vazhdojë edhe vikendit me orarë nga 07:30 në mëngjes deri në 19:30 në mbrëmje.
“Në këtë fazë të vaksinimit është paraparë që të vaksinohen personat e moshës 65 vjeçar dhe më të moshuar, por gjithashtu mund të vaksinohen edhe personat e tjerë mbi këtë moshë, të cilët për arsye të ndryshme kanë mbetur pa u vaksinuar”, ka thënë më tej drejtori Dr. Bujar Pllana, i cili ka shtuar se personat që do të vaksinohet duhet të paraqiten me kartë identiteti për të dëshmuar moshën e kësaj faze të vaksinimit dhe në objektin e QKMF-së do të pajisen me një numër nga sistemi elektronik, për të rregulluar radhën dhe mbarëvajtjen e procesit.
Dejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Vushtrrisë, Dr. Bujar Pllana ka folur edhe për numrin e vaksinave që posedojnë aktualisht, për llojin e tyre, por edhe për pritjet e për furnizim ditëve në vijim.
“Aktualisht kemi të siguruara 520 vaksina Astra Zeneca dhe 82 vaksina Pfizer, por ditëve në vijim presim të furnizohemi edhe më një numër vaksinash nga Ministria e SHëndetësisë, në mënyrë që të vazhdojmë procesin e vaksinimit për të gjithë qytetarët e komunës tonë”, ka thënë më tej Dr. Pllana.
Ai ka sqaruar gjithashtu se për momentin vaksinimi është duke u bërë në objektin e QKMF-së, por ditëve në vijim ky proces pritet të vazhdojë në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”, ku edhe janë duke u bërë përgatitjet që ky proces të vazhdojë aty.
“Falënderoj qytetarët për kulturën e treguar në këtë proces specifik, të cilët kanë ndihmuar që puna jonë të ecën mirë dhe pa probleme, e po ashtu edhe stafin e QKMF-së, Drejtorinë për Inspektime dhe Policinë e Kosovës, me të cilët së bashku kemi arritur që të planifikojmë dhe të realizojmë në mënyrën më të mirë vaksinimin e qytetarëve”, ka thënë më tej drejtori Pllana. Njëkohësisht ai ka bërë apel të qytetarët që të respektojnë masat e vendosura rreth pandemisë, të ruajn distancën në mënyrë që të shmangin sa më shumë përhapjen e virusit Covid-19. /Veriu.info