Site icon PrishtinaPress

“Dosja e Shefave”, takim ndërmjet EULEX-it dhe Prokurorit të Shtetit

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në një takim pune kryeprokurorin e EULEX-it, Claudio Pala.
Sipas një njoftimi, pas këtij takimi, kryeprokurori i EULEX-it, Pala e ka ngarkuar prokurorin përgjegjës për rastin e ashtuquajtur të MTPT-së për të bërë një vlerësim të përmbajtjes së telekomunikimeve të përgjuara, për të gjetur nëse ekziston ose jo dyshimi i bazuar për inicimin e hetimit për pohimet e përmbajtura që dallojnë nga ato për të cilat tashmë është marrë vendimi për ndërprerjen e hetimit.
Raporti mbi këtë vlerësim do t’i dorëzohet kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër, Lumezi, thuhet më tej në njoftim.
Po sipas njoftimit, më pas, varësisht nga informatat e pranuara nga prokurori ndërkombëtar i çështjes, nëse nuk është bërë hetimi i atyre telekomunikimeve, nga kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, do të krijohet një ekip e prokurorëve nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të cilët do të verifikojnë dhe analizojnë përmbajtjen e telekomunikimeve në mënyrë që të arrihet përfundimi se a ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale, të kryera nga subjektet e përgjuara, të cilat mund të ndiqen penalisht.
“Nëse do të gjenden elemente të kryerjes së ndonjë vepre penale, të cilat do të mund të ndiqen penalisht, prokuroria do t’i filloj hetimet për ato vepra penale, pavarësisht se nga kush mund të jenë kryer”, përfundohet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit./PrishtinaPress.eu

Exit mobile version